Reforma zgjedhore, Rama takohet me kreun e OSBE. Volfart: Çështjet e mbetura zgjidhen politikisht
Kreu i PS-së, Edi Rama, është takuar gjatë paradites së sotme me kreun e OSBE-së në Tiranë, Eugent Volfart. Takimi është mbajtur pa praninë e mediave, por mendohet se temë e diskutimit ka qenë reforma zgjedhore.
Aktualisht kanë mbetur vetëm dy ditë në dispozicion dhe tre çështjet kryesorë të reformës, struktura e KQZ-së, procesi ankimor dhe sistemi elektronik i numërimit të votave, nuk janë zgjidhur.
Për këtë bllokim ka pasur akuza të dyanshme nga opozita dhe mazhoranca, ndërkohë që edhe roli i OSBE-së dhe sidomos Volfart, është kritikuar ashpër nga një sërë eksponentësh politikë, për mbajtjen e anës ndaj mazhorancës.
Pas takimit Volfart përsëriti se duhet vullnet politik për mbylljen e çështjeve të mbetura pezull të reformës zgjedhore, kur kanë mbetur edhe tre ditë. Ai tha se komisioni i reformës zgjedhore ka bërë një punë të mirë. Volfart tha se KQZ duhet të jetë një institucion që të gëzojë besim të plotë. Sipas tij për këtë arsye duhet gjetur një zgjidhje për këtë institucion.
