E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore siguron ulëset e rezervuara në Kuvend

Serbët e Kosovës, sipas zëvendëskryeministrit Slobodan Petroviq, që është edhe kryetar i partisë SLS, do të vazhdojnë t’i kenë vendet e rezervuara për minoritete në Kuvend, pavarësisht që Pakoja e Ahtisaarit parasheh përfundimin e tyre.

Me këtë janë pajtuar në parim të premten mbrëma liderët e partive politike përveç Lëvizjes Vetëvendosje, në një takim ku është diskutuar për reformën zgjedhore, shkruan Koha ditore.

“Pikë e rendit të ditës ishte edhe vendet e rezervuara në Parlament, edhe për këtë temë kemi arritur kompromis. Kishim qëndrime të qarta, PDK-ja, AKR-ja si dhe përfaqësuesit e partive politike serbe janë shprehur me pozitivitet”, ka treguar Petroviq, i cili ka qenë nikoqir i takimit. Derisa ka treguar qëndrimet e anëtarëve të tjerë lidhur me kërkesën për mbetjen e vendeve të rezervuara, Petroviq ka thënë se lideri i LDK-së dhe ai i AKK-së nuk janë shprehur kundër, por kanë kërkuar më shumë kohë për të marrë një vendim për këtë çështje.

“Duke pasur parasysh se në procesin e dialogut në përqindje të madhe po flitet për komunitetin serb që jeton në pjesën veriore jemi të sigurt plotësisht se pranimi i kësaj kërkese do të jepte një rekomandim më tepër sesa pozitiv për qytetarët tanë të pjesës veriore”, ka thënë ai, duke shtuar se pranimi i kësaj kërkese do të nxisë qytetarët serbë që të dalin në zgjedhje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›