Opozita akuzon qeverinë për kreditë me probleme
Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë “Berisha” se po infekton biznesin me borxhin e saj. Në një prononcim për mediat, sekretari i Këshillit Ekonomik të PS, Ervin Bushati, i bëri apel qeverisë që të jetë më e përgjegjshme dhe të ndalojë sa më parë gangrenën e financave publike, pa infektuar tërësisht tregun dhe biznesin vendas. "Janë shtuar kreditë me probleme, ndërsa shteti nuk i përgjigjet detyrimeve financiare që ka ndaj punimeve të kryera nga biznesi vendas", u shpreh Bushati. “Qeveria nënkontrakton borxhin e saj, duke ia transferuar rrënimin financiar tregut dhe biznesit shqiptar. Qeveria e vendit po përdor përsëri të njëjtën zgjidhje origjinale për të përballuar përgjegjësinë ndaj borxhit publik dhe detyrimeve financiare që ka ndaj të tretëve: borxhin afatmesëm ia ka kaluar në ngarkim firmave vendase që kanë kontrata me shtetin dhe atë afatgjatë ua ka lënë në kurriz brezave të ardhshëm. është e papërgjegjshme, e dëmshme dhe e rrezikshme mënyra me të cilën filozofia e “kursit ‘97” ka marrë peng qeverisjen e vendit”, deklaroi Bushati, i cili shtoi se
“Deficiti buxhetor galopant prej 7.4% i vitit të shkuar elektoral, është laku qeveritar në qafën e biznesit vendas. Një shtet që nuk i përmbahet ‘kontratës sociale’ ose dhe asaj financiare nuk mund të ketë moralin e duhur për të kërkuar korrektese tek qytetarët apo dhe sipërmarrësit e vet. Klima e dyshimit bën hije mbi seriozitetin e shtetit shqiptar, seriozitet që sot është marrë peng nga qeverisja spontane dhe emotive e mazhorancës aktuale me një profil tërësisht klanor dhe personal”.