E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, të vegjlit kryqëzojnë Ramën: Po na lë jashtë përsëri

24-07-2011 / Gazeta 55

Flasin Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Nard Ndoka


Aleatët e majtë të Partisë Socialiste shprehin kritika të ashpra për mënyrën sesi ajo po sillet me ta jo vetëm pas zgjedhjeve të 8 majit, por edhe mënyrës sesi po drejtohet opozita nga drejtuesit kryesorë të saj, veçanërisht Edi Ramës. Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, nuk e fsheh pakënaqësinë që në momentin kur deklaron se aleatët nuk po përfillen dhe po menjanohen nga proceset vendimmarrëse. “Unë jam kritik përsa i përket faktit që opozita sot nuk është mbledhur për të shqyrtuar, për të diskutuar dhe për të kombinuar veprimet e saj të mëtejshme. Duhet përfundimisht të hiqet dorë nga nënvlerësimi me një lloj paternalizmi që Partia Socialiste ushtron ndaj aleatëve të vet. Duhet kuptuar që është koha që aleatët duhen vlerësuar për aq sa kanë dhe nuk duhen nënvlerësuar dhe nuk duhen konceptuar si shërbëtorë të interesave dhe synimeve të Partisë Socialiste, sepse kjo e ka dëmtuar dhe mund ta dëmtojë edhe më shumë në të ardhmen të majtën politike, por edhe aleaten tonë, Partinë Socialiste”- u shpreh Milo. Po ashtu, kreu i PDK Nard Ndoka, kërkon riorganizim i të majtës, duke nisur që nga afrimi pranë saj i figurave apo personave që janë larguar për arsye të ndryshme. “Opozita në vetvete duhet të organizohet, duhet të reformatohet si dhe duhet të zgjerohet, pasi kjo është një domosdoshmëri e kohës, duke mos u treguar e ngurtë në administrimin e këtij procesi si dhe për të hapur shumë më tej gamën e opozitarëve politikë, pra, duke i kaluar më tej disa konflikte dhe interesa të momentit, për t’u pozicionuar në një mënyrë të shpejtë, për faktin se opozita e sotme është në shumicë në popull dhe kjo është shumë e rëndësishme”- thotë Ndoka. Ndërsa Skënder Gjinushi, i Social Demokratëve, pohon se e majta ka nevojë për një platformë konkrete dhe një aksion të qartë politik, për t’u paraqitur denjësisht në zgjedhjet e ardhshme. Partia Socialiste ka përgjegjësinë më të madhe, për të kryer këtë mision opozitar dhe është koha ku përfundimisht të bëjë opozitën e vërtetë. Koha e gjoja kompromiseve dhe koha e opozitës konstruktive, absolutisht ka kaluar”- thotë Gjinushi, duke i kërkuar Ramës një koncentrim të përgjithshëm të aksioneve politike të të majtës dhe veçanërisht Partisë Socialiste. Gjithashtu, aleatët e majtë, i kërkojnë Partisë Socialiste nisjen e dialogut për hartimin e reformës zgjedhore, e cila sipas tyre duhet të jetë më gjithëpërfshirëse si dhe të riparojë ato defekte që janë vërejtur gjatë dy periudhave zgjedhore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›