E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Opozita t’i bashkohet kursit të reformave – Brukseli kërkon bashkëpunim në Kuvend

24-07-2011 / Gazeta 55

Pak ditë pas takimit të tretë të Stabilizim Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto shprehet se është e domosdoshme që të gjitha forcat politike, e veçanërisht Partia Socialiste, të angazhohen për reformën zgjedhore.


I kënaqur nga vlerësimi pozitiv i këshillit të Stabilizim Asociimit për vendin tonë, ministri Haxhinasto mban të njëjtin qëndrim me atë të komisionerit Fyle, i cili u shpreh se tashmë procesi i zgjedhjeve të 8 majit, është një kapitull i mbyllur.


“Kapitulli i Zgjedhjeve është tashmë një kapitull i mbyllur dhe kjo u deklaruar shumë qartë nga komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, përcaktime të tjera që ju shikoni në deklarimet e z.Fyle janë bërë vetëm në kontekstin e nevojës për një reformë zgjedhore në të ardhmen. Sigurisht që gatishmëria për këtë reformë zgjedhore ka qenë gjithmonë një mundësi e hapur, një mundësi konkrete”- tha Haxhinasto.


Duke folur për optimizmin e vendit tonë dhe shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat, kreu i diplomacisë shqiptare thekson se ajo që e ka penguar vendin tonë deri tani, ka qenë mungesa e një dialogu politik nga ana e opozitës brenda institucioneve dhe angazhimi i saj për të shqyrtuar dhe miratuar ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.


“Nuk është vetëm çështja e numra, por është edhe çështja e kopurtimit në tërësi të forcave politike, pra që bojkoti të mos jetë pjesë e strategjisë së tyre politike, ashtu siç është deklaruar së fundmi nga lidershipi i Partisë Socialiste, por prioritet i tyre të jetë angazhimi konkret dhe efikas për të avancuar axhendën evropiane që ka vendi”- thotë Haxhinasto.


Më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, shpreson në reflektimin e opozitës për të bashkëpunuar në reformat zgjedhore, pasi siç thotë ai deri tani ka patur vetëm deklarata nga ana e saj.


“Mbetet për t’u parë se çfarë hapash konkretë ajo do të hedhë për t’u angazhuar në zbatimin e planit kombëtar të veprimit, për të adresuar 12 rekomandimet dhe prioritetet që ka vënë Bashkimi Evropian përpara Shqipërisë”- deklaroi më tej zv/kryeministri Haxhinasto.     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›