Reforma zgjedhore, trojka e ambasadorëve apelon për nisjen e tryezës së reformës zgjedhore

LSI: Duhet të reformojmë Kodin Zgjedhor
Treshja e ambasadorëve më të rëndësishëm, të akredituar në Tiranë Aleksandër Arvizu, Eugen Wollfarth edhe Ettore Sequi apelojnë politikën shqiptare për bashkëpunim dhe dialog politik për reformën zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 8 majit. Vetëm pak orë, pasi është publikuar ky raport për zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri të tre ambasadorët kanë dhënë mesazhin e tyre, drejtuar krerëve të politikës shqiptare. “Bashkëpunimi i forcave politike është çelësi për hapat e mëtejshëm, që duhet të hedhe Shqipëria, sa i përket proceseve zgjedhore. Ky bashkëpunim mendoj se duhet të fillojë sa më shpejt. Koha për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, është afër dhe kjo periudhë duhet shfrytëzuar për të punuar me reformën zgjedhore. Kemi parë një proces zgjedhor të mirë në ditën e votimit, por kemi parë gjithashtu edhe një proces të komplikuar të numërimit të votave, ç’ka raportua edhe në raport. Për këtë arsye, mendoj se palët politike duhet të ulen për të punuar për këtë reformë shumë të rëndësishme. Mendoj se krerët e partive politike, duhet të jenë gati, pasi kjo duhet bërë në shërbim të vendit”- u shpreh ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.
Ndërsa ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu deklaroi se raporti flet vet edhe për rekomandimet për partitë politike. “Ende se kam parë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, por duke njohur reputacionin e Stonestreet dhe të ODIHR-it besoj se kanë realizuar një raport profesional dhe të qartë. Raporti flet vetë edhe për rekomandimet për partitë politike”- u shpreh ambasadori amerikan.
Në fjalën e tij, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi theksoi se forcat politike shqiptare duhet të respektojnë rekomandimet e OSBE-ODIHR. “Sapo e kam marrë raportin dhe janë 35 faqe, pres t`i lexoj sonte. Megjithatë mbështes atë që tha ambasadori Arvizu dhe them se forcat politike duhet të respektojnë rekomandimet e ODIHR dhe mendoj se qëllim parësor duhet të kenë dialogun politik”- theksoi Sequi.
Pas më shumë se tre muajsh, OSBE-ODIHR publikon raportin e tij për zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku apelon në mënyrë të veçantë forcat politike për bashkëpunim për reformën zgjedhore.
Reagimi i LSI-së: Të nisë reforma zgjedhore
Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi raportin final të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet lokale të 8 majit si një raport objektiv, por që rekomandon kryerjen e reformës zgjedhore. LSI përmes nënkryetarit të saj Petrit Vasili vlerëson rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duke ripërsëritur thirrjen ndaj forcave politike për t’u ulur në tryezë e për të nisur ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. “Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR rekomandon qartë nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e nuk ka më asnjë alternativë tjetër të përgjegjshme përveç asaj të uljes së partive në tavolinën e bisedimeve për përmirësimin e Kodit Zgjedhor”- tha nënkryetari i LSI-së, Vasili.
Duke folur për vlerësimin e zgjedhjeve ai përmendi si aspektet pozitive të zgjedhjeve të 8 majit sa i përket kompetitivitetit dhe transparencës, edhe aspektet që ndikuan negativisht, polarizimin partiak të procesit zgjedhor.
Ftesën e LSI-së për bashkëpunim në reformën zgjedhore duket e ka pranuar tërthorazi sot edhe opozita, përmes nënkryetarit të grupit parlamentar socialist Saimir Tahiri.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Tahiri në reagimin ndaj raportit final të OSBE/ODIHR-it u shpreh se opozita do të bashkëpunojë për të bërë ndryshimet e përmbajtjes së Kodit Zgjedhor.
Tashmë me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator kur pritet që opozita të rikthehet në kuvend duke ndërprerë bojkotin, pritet të nisin edhe diskutimet për reformën zgjedhore, por jo vetëm pasi bashkë me to opozita pritet të zyrtarizojë edhe propozimet për ndryshimet në ligjin themeltar, Kushtetutë.