Edi Rama lexon mbi dafina raportin e ODIHR, zëri i PS-së ngelet në duart e Saimir Tahirit

Partia Socialiste është në ditë të hallit. Zhdukja e Edi Ramës nga sytë - këmbët dhe përgjumja e tij, në resortet luksoze të ishujve turistikë të Mesdheut, ka rikthyer anarshinë në ngrehinën socialiste. Përfaqësuesi më i “denjë” i të majtës politike dhe opozitës socialiste, është Saimir Tahiri, i cili edhe pse është jashtë kontekstit të përcjelljes së mesazhit politik, doli sot në podiumin e ekspozesë mediatike të Partisë Socialiste, për të lëshuar pseudo-kontestin, lidhur me raportin e fundit të OSBE/ODIHR. Por, sikurse edhe pritej, përpëlitjet e Tahirit s’mjaftuan, pasi ky i fundit s’tha asgjë të përtypshme, veç grahmës së dëshpërimit që ka pllakosur çorbën opozitare. U desh një editorial i gjatë i Edi Ramës, i cili u shpërnda fillimisht në redaksitë e mediave të majta, për të komunikuar qëndrimin zyrtar të Partisë Socialiste lidhur me raportin përfundimtar të ODIHR, për zgjedhjet vendore të 8 majit. Por pse Edi Rama refuzoi të komentonte në prani të mediave dokumentin zyrtar të ODIHR? Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se kryesocialisti prej ditësh të tëra s’ndodhet në Shqipëri, ndërsa zërat flasin për pushime të gjata të tij, në plazhet luksoze të disa prej zonave turistike të Mesdheut. Pas frekuentimit thuajse 1 mujor të resorteve turistike të Sardenjës, Edi Rama u kthye vetëm për 2 ditë në Shqipëri, periudhë të cilën e shfrytëzoi për një takim të shkurtër me ministrin gjerman për Ekonominë, Niegel, ndërsa pas këtij momenti prezenca e tij publike, është thuajse zero. Edhe atëherë kur dukej se kauza e opozitës për situatën politike, me afrimin e sesionit të ri parlamentar, do merrte një kuadër të rinovuar aksioni politik në Kuvend dhe gjerësisht në të gjitha komisionet Parlamentare, Edi Rama shpërfill dhe konsideron të panevojshëm kursin reformator opozitar, ndërsa tmerri për momentin lidhet me kongresin e 5 nëntorit.
Editoriali i shpërndarë me SMS nga plazhet e nxehta Mesdhetare dhe shmangia me çdo kusht ndaj shfaqjes publike, konfirmon dhe njëherë lakuriqësinë e tij si dhe mungesën e karakterit prej lidershipi. Edi Rama lexoi mbi dafina sipas interesit të tij personal, raportin objektiv dhe frymëzues të organizmave ndërkombëtare të OSBE-së dhe ODIHR-it. Dhe si përfundim, u mjaftua me një e-mail bastard, të cilën e fshehu pas maskës “Editorial Nga Edi Rama”. Sigurisht që, shkërmoqjen e opozitës s’e shpëton dot nudizmi i Edi Ramës dhe as e-maile-t e zhveshura që vijnë me valë të shkurta nga brigjet detare të Mesdheut. Stuhitë e vjeshtës, jo vetëm parashikohen të rrufeshme në Partinë Socialiste, por njëherazi do i siglojnë pensionin politik atij që s’u bë kurrë lider.