E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja e Integrimit, 33 mijë lekë një kartolinë

E nderuar redaksi! Në postë jemi habitur të gjithë nga shpenzimi i ministres së Integrimit, për kartolinat e Vitit të Ri. U dërguan 400 kartolina, me një çmim fantastik prej 33 mijë lekë një kartolinë. Kaq të pasura janë ministritë tona? Kjo është qeveria në dietë? Lutem mos vendosni emrin apo adresën e e-mailit sepse më pushojnë nga puna. (Punonjëse e Postës)
Shënim i redaktorit: Ky e-mail botohet i redaktuar. Ka mbërritur në redaksi që në datën 26 dhjetor. Lidhur me këtë denoncim u punua disa ditë, për shkak se Ministria e Integrimit shtynte vazhdimisht, përgjigjen zyrtare për pyetjen tonë. Më poshtë keni materialin e përgatitur nga një grup reporterësh të rinj të rubrikës.
Ministria e Integrimit ka dërguar 146 kartolina drejt institucioneve europiane më datë 25 dhjetor 2007, me çmim 3.300 lekë të reja copa. Çmimi fantastik për një kartolinë shpjegohet me faktin që është përdorur postimi EMS që ka kosto shumë më të lartë se postimet e tjera. "Eshtë zgjedhur ky tip postimi pasi ky shërbimi ofron një afat rreth 2-5 ditë më shpejt për mbërritjen në destinacion të kartolinave të urimit",- tha punonjësja e sportelit të postimit të dokumentave zyrtare, Barie Rama. Dhe ndërsa afati kohor i mbërritjes u shkurtua me 2-5 ditë, çmimi shkoi drejt 30-fishit. Postimi i thjeshtë në rrugë tokësore kërkon një afat kohor prej 7-10 ditë dhe kushton nga 80-100 lekë, ndërsa postimi i thjeshtë me avion kërkon një afat kohor prej 4-8 ditë dhe kushton nga 300 në 700 lekë. A nuk mund të dërgoheshin këto kartolina disa ditë më parë dhe kështu të kursehej një shumë jo e vogël parash?
 
Për fat të keq, vetë Ministria ka patur tendencën të gënjejë lidhur me këtë çështje. Posta konfirmoni numrin 146 për kartolinat e dërguara me çmimin 3.300 lekë secila. Kjo shifër vlen vetëm për datën 25, sepse mund të jenë kryer dërgesa edhe ditët e tjera të fundvitit dhe ndoshta numri i saktë është ai që denoncon lexuesi ynë, por informacioni ishte i pamundur të sigurohej, për shkak të bllokimit dhe vonesave të përgjigjes zyrtare që kërkuam nga kjo ministri.
Fillimisht, në të njëjtën ditë që Posta konfirmoi numrin 146, Zyra e Shtypit në Ministri na tha se janë dërguar 40 kartolina me destinacion Brukselin (!). Gënjeu Posta apo Ministria? Kur e pyetëm të njëjtën zyrtare të Zyrës së Shtypit të Ministrisë se në çfarë rruge ishin dërguar kartolinat, ajo përmendi postimin e thjeshtë (!) Posta ndërkohë konfirmoi postimin EMS. Gënjeu posta apo Ministria? Pasi ia vumë në dukej këtë mospërputhje, zyrtares së Ministrisë, një telefonatë e sekretares me eprorin e saj ndaloi informimin tonë të mëtejshëm. Na thanë që duhet të vinim sërish të hënën.
 
U rikthyem në Ministrinë e Integrimit të hënën (dje). Kërkuam sërish numrin e saktë të kartolinave të dërguara dhe çmimin për secilën kartolinë, si dhe arsyet e mospërputhjes mes deklarimit të Postës dhe deklarimit të ministrisë. Tashmë nuk ishin më as 40 copë të dërguara me postë të thjeshtë (!), por sipas ministrisë numri ishte 27 kartolina për brenda vendit, me postim të thjeshtë, 8 me postim rekomande dhe vetëm 1 për jashtë vendit. Të dhënat janë marë nga i njëjti mandat faturash i punonjëses, Barie Rama. Mbase 2007 u largua me shumë letra, kartolina, e-maile, madje edhe përqafime urimesh, por që të largohej me humbjen e të dhënave të shpenzimeve të postimit të kartolinave nga Ministria e Integrimit, askush nuk e kishte menduar.
 
Vlen të kujtojmë se për datën 25 dhjetor 2007, Ministria e Integrimit dërgoi 146 kartolina me një çmim prej 3.300 lekësh, d.m.th., 481.800 lekë dhe sikur të gjitha datat e tjera të dërgimit të kartolinave, dhe të gjitha ministritë e tjera do të përdorin këtë tip postimi, sa do të shpenzonte qeveria shqiptare për kartolinat? Me siguri që dieta e Qeverisë duhet të ketë mbaruar me 31 dhjetorin e 2007-ës. Apo shumë më shpejt?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›