Sali Berisha vlerëson 8 dhjetorin e vitit 1990, si ditëlindjen e lirive

“PD-ja shpëtoi Shqipërinë në vitin 1991 nga një skenar i Beogradit, ku Ramiz Alia ishte dorë e Millosheviçit"
Në vendin tonë, ishte shpëtimi i Shqipërisë nga një skenar i Beogradit, ku Ramiz Alia ishte dora e Sllobodan Millosheviçit.
Një fakt të tillë, për herë të parë e ka zbuluar dje Kryeministri Sali Berisha, në përkujtim të 18-vjetorit të lëvizjes studentore.
Duke ju referuar zgjedhjeve të para pluraliste dhe zhvillimeve të mëvonshme, Berisha u shpreh se, “Megjithëse morëm 30 % të parlamentit, ne ishim një grup që nuk u dekurajuam, ishim një grup deputetësh që sollëm një shëmbëlltyrë krejt tjetër në parlament. Ishim një grup që i dhamë tonin jetës politike në parlament dhe me një histori procesesh politike demokratike sollëm zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj se një nga meritat më të mëdha të Partisë Demokratike ishte se ajo shpëtoi Shqipërinë nga një skenar i Beogradit, ku Ramizi ishte dorë e Millosheviçit, dhe e disa organizatave të rrethuara. Ndërsa Partia Demokratike, nëpërmjet një serie të drejtash të përgjithshme si të minatorëve dhe më pas një serie të drejtash të qytetarëve që krijuam dhe me radhë, ato ishin zhvillime politike që futën Shqipërinë në rrugën e zhvillimeve politike. Pluralizmi në këto vite, nuk u shndërrua dot në një pluralizëm burokratik, por u zhvillua si një pluralizëm i vërtetë politik”.
Deklarimet e Kryeministrit u bënë gjatë një interviste në TVSH, ku Lëvizja Studentore e pasuar nga një lëvizje edhe më të gjerë mbarë shqiptare, plot 18 vjet më parë, ka qenë dje objekt i kujtimeve të Sali Berishës, të shprehura në një intervistë për TVSH-në.
“Sa herë që e pyes veten për 8 dhjetorin, unë e gjej atë ditëlindjen e lirive të mia individuale, e gjej ditëlindjen e lirisë së shqiptarëve, lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Një ditë e ftohtë e zymtë, e vrenjtur dhe një ditë në të cilën një Shqipëri e ç’vendosur thatësira e barbarisë dhe të shtypjes më ekstreme. Një Shqipëri që përjetoi në 45 vjet përvojën më të paimagjinueshme në Evropë, një Shqipëri cila kishte burgje dhe kampe përqendrimi më shumë se stadiume dhe pallate kulture. Një Shqipëri e cila kishte vendosur në një sistem skllavëria ekstreme, së paku 40 për qind të popullatës fshatare, një Shqipëri e cila ishte e zhytur në izolimin më të thellë dhe një Shqipëri e cila për fatin më të keq nuk njihej në përmasat e saj nga një pjesë e mirë e shqiptarëve, ka shprehur impresionet e tij, Kryeministri Sal Berisha. Më pas, ai u ndal në kujtimet e tij, për vitet e regjimit komunist.
“Unë kam qenë dhe jam i bindur se qytetarët e Tiranës, ne që banonim në Tiranë nuk kishim të qartë se cila ishte jeta e fshatarëve të Dibrës, të Mokrës, apo të Dukagjinit. ǒështë e vërteta, ne këtu, jetonim që të gjithë me tallona, kjo ishte e vërteta, që të gjithë ushqeheshim me racionet e tallonave që merrnim dhe kjo ishte sigurisht e rëndë. Të burgosurit dhe qytetarët në kampet e përqendrimit kishin një ushqim tërësisht të papranueshëm, jetonin në kushtet me të vështira dhe çnjerëzor, me keq se të tjerët. Me keq nga të gjitha zonat e Shqipërisë, ishte ajo verilindore dhe juglindore e vendit, ajo që ishte e kolektivizuar në tërësi, e cila absolutisht vitet e fundit, pas marrjes së bagëtive përfundonin me asnjë lloj ushqimi tjetër përveç bukës së misrit, mund të gjeje një litër vaj dhe një kg sheqer. Në këtë drejtim, Shqipëria, kurrë në të gjithë historinë e saj, nuk ka përjetuar një ritëm të tillë tmerri dhe mjerimi. Tani, kanë kaluar 18 vitet dhe normale është të shohim pak, por Winston Çërçill thoshte dikur se ‘sa më larg të shohësh mbrapa, aq më kthjellët dhe më larg do të shohësh para’. Unë e di se një pjesë e mirë sot, madje gjysma e popullatës, nuk e imagjinojnë dot të gjitha këto, se cila ishte Shqipëria e atyre viteve. Nuk e imagjinon dot se hapja e diktaturës shqiptare ishte një kec dhe një qengj, se kecin mund ta mbante për vete, por qengjin do t’ia dorëzonte shtetit fshatari. Nuk mund të imagjinohej dot se derrat i rrisnin fshehtas në dhomat e gjumit, duke iu prerë kordat që të mos e merrte vesh komshija”, kujtoi e tregoi Berisha.
Më pas Kryeministri u ndal në sinjalet e para të pakënaqësirave ndaj regjimit, për të kulmuar në 8 dhjetor të vitit 1990.
“Këto dalin jashtë çdo imagjinate, por kjo ishte Shqipëria e vitit 8 dhjetor 1990. Në qershor të ‘90-ës, kam qenë në një mbledhje me një grup intelektualësh po diskutonim dhe relatonim për revistën ‘Shkenca dhe Jeta’, ka mjaftuar përdorimi nga unë i frazës ‘liri dhe të drejtat e njeriut’, që nga salla të largoheshin të gjithë të pranishmit. Ndaj dhe 8 dhjetori edhe atëherë edhe sot, unë do ta mbaj ditëlindje e lirive të mia, ditëlindjen e lirive të qytetarëve shqiptarë. Ditë të cilat i solli, rinia, e solli ajo e cila mbart me një farë mënyre edhe historinë e këtij vendi, të duket i asaj fati dhe destinacioni i lirive në dorë, ditën, e saj që kurrë nuk shuhet, sepse edhe në rast se mendon siç kam menduar unë me 100 herë bashkë me bashkëqytetarët e mi në atë periudhë, sërish ajo ekziston në guxim në trimërinë dhe vendosmërinë e të rinjve. Ishte dita që solli 8 dhjetorin, ishte dita e lirisë së Shqipërisë”, u shpreh Berisha me mbivlerësime për datën historike të 18 vjetëve më parë....