Bashkia e Vangjush Dakos në Durrës blen 3 000 libra “Kurban”

Bashkitë socialistë kanë marrë urdhër që zërin e investimeve ta çojnë në blerjen e kopjeve të librit të Edi Ramës
Pasi flaku tej, programin politik të Partisë Socialiste, që prej thirrjes së Kongresit të 5 nëntorit, Edi Rama kurdisi propagandimin e manifestit të “Kurban”-it, duke bredhur lart e poshtë dhe qytet më qytet. Si përfundim, as me këtë paçavure të fryrë mediatikisht, s’po gjen karar, pasi lexuesi i thjeshtë socialist s’është i interesuar për jetën katrahurë të Edi Ramës dhe përshkrimin e vetes së tij, si i dështuar në familje, profesion dhe në politikë. Ajo që kërkon të lexojë dhe dëgjojë socialisti i Vermoshit apo Konispolit, është shporrja e Edi Ramës nga PS mundësisht edhe nga politika, pasi kostot e problemeve të tij familjare, profesionale dhe politike po i vuan vetë Partia Socialiste. “Kurbani” s’bën gjë tjetër veçse tenton të maskojë dështimet e Edvinit, ndërsa në tërësi, kapitull më kapitull fyen, shan dhe demaskon rivalët e tij politik, duke treguar njëherazi aftësinë paranojake të tij, për të parë me dritëhije çdo sfidant të skenës politike, edhe pse asnjëherë nuk cek paaftësinë e tij, e cila vjen si proces rigoroz nga dështimet familjare, profesionale dhe politike. Indiferentizmi i socialistëve të Durrësit, Fierit dhe Shkodrës ndaj “Kurbanit”, që me zor tentoi t’iu kooptohej në bibliotekën personale, e tmerroi Edvinin, ndërsa me çdo kusht duhet të gjente një formulë me më pak marketing, por me më shumë fitim. Gjithçka vërtitet rreth fitimit personal, pasi Kurbani i lakuriqit s’mendohet të kryejë veç pamfletin e propagandës sipas praktikave kineze, por njëherazi t’i grumbullojë edhe ca të ardhura financiare si pa të keq, pas humbjes së bashkisë së Tiranës, e cila për të dhe shpurën e pagatorëve 99-sha, ishte kthyer në një shtojcë të pashtershme. Vangjush Dako është partizani i parë që i përgjigjet dëshpërimit të Edi Ramës për mos lexueshmëri dhe mos grumbullim të të ardhurave financiare. Duke mos dashur që libri i kryetarit të PS të cilësohet i dështuar në treg (pasi në të vërtetë, të dhënat flasin për një tirazh modest shitjesh, për të mos thënë të papërfillshëm), kryetari i bashkisë së Durrësit ka orientuar një pjesë të mirë të fondeve të pushtetit vendor, për librin e Ramës. Bëhet fjalë për 3 000 kopje “Kurban” që bashkia e Durrësit t’i blejë me paratë e taksapaguesve, e cila përkthehet kështu në një shkelje të rëndë ligjore. Institucioni i bashkisë së Durrësit nuk jep asnjë shpjegim mbi aferën Dako – Rama, por kuptohet se ky i fundit ka ndjerë skarcimin e vetes në përpjekje për t’u shndërruar në shkrimtar, ndërsa për propagandë politike numri i tirazhit të librit i duhet sa më i lartë i mundshëm. Tenderi fiktiv vazhdon edhe me bashkitë e tjera të drejtuara nga socialistët. Abuzimi me taksat e qytetarëve vazhdon në bashkinë e Fierit, Elbasanit dhe Korçës, ku titullarët e këtyre institucioneve kanë kurdisur tendera abuzivë për blerjen e 3 000 – 5 000 kopje të librit “Kurban”. Urdhri është i prerë, çdo bashki e drejtuar nga socialistët duhet të krijojë një zë të posaçëm shpenzimi, për blerjen e librit të Edi Ramës. Vetë autori i librit deklaroi pak ditë më parë se aty ai ndjehet lakuriq...dhe s’është hera e parë që Edvini i serviret shqiptarëve me lakuriqësinë e tij. Lakuriqësinë po e tregon edhe me pamfletin “Kurban”, i cili po iu imponohet socialistëve si “lexion – Kurbani” i dështimit, falsitetit dhe lakuriqësisë...
...