E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformë e re në arsimin parauniversitar

Viti 2010 do të shënojë çastin e ndryshimit jo vetëm të arsimit universitar, por edhe të arsimit parauniversitar, me anë të reformës së re që po përgatitet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Reforma e re do të ketë bazë kurrikulat, kualifikimin e mësuesve dhe ndryshimin e mësimdhënies, si përparësi për modernizimin dhe zhvillimin e arsimit nëntëvjeçar dhe të mesëm në vend.
Çështja kryesore që do të tentojë të zgjidhë kjo reformë, ka të bëjë me decentralizimin në arsimin parauniversitar. Ndonëse shteti do të vijojë të jetë baza e drejtimit të shkollave në vend, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë, si mësuesit e prindërit, do të marrin në duar disa frena të sistemit parauniversitar.
Reforma e cila është paralajmëruar nga ministri Tafaj, do të tentojë që të japë më shumë zë në menaxhimin e shkollave, prindërve, mësuesve dhe pushtetit vendor, me anë të bordeve drejtuese që do të kenë shkollat e që do të jenë baza vendimmarrëse për to, sipas burimeve nga ministria.
Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi do të jetë rritja e cilësisë në arsimin parauniversitar, çka do të mundësonte njohjen e diplomave të pjekurisë dhe të maturës në mbarë botën, pa provime shtesë, nga ana e nxënësve.
Një tjetër objektiv që do të ketë MASH gjatë vitit të ardhshëm, është ulja e analfabetizmit. “Përfshirja 100% e fëmijëve në moshë të hershme në kopshte, reduktimi i plotë i braktisjes së shkollës në arsimin bazë, ndërkohë që edhe për të rinjtë që përfundojnë shkollën 9-vjeçare duhet të tregohet kujdes i veçantë për t’i tërhequr drejt shkollave të mesme dhe më tej, drejt universiteteve”, - është deklaruar kohë më parë si prioritet nga ministri Tafaj.
E në një kohë me të, edhe kthimi i arsimit të mesëm në arsim të detyrueshëm pas vitit 2013, do të jetë një tjetër sfidë. Në të njëjtin limit, mësuesit e gjimnazeve në vend do të duhet të kenë përfunduar masterin, si një shenjë tjetër cilësie, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Ndërkohë, reforma e kurrikulave do të thellohet për të arritur cilësinë, e cila është vendosur në pikëpyetje gjatë viteve të kaluara”, - thonë burime nga MASH-i, ndërsa lëndët me zgjedhje do të përftojnë më shumë peshë në gjimnaze.
Krahas këtyre risive, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë në qendër të vëmendjes, sipas ministrit Tafaj.
"Të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të prekin realitetet e të dy vendeve. Gjimnazistët shqiptarë duhet të njohin nga afër shkollat e mesme në Kosovë dhe anasjelltas. Ka ardhur koha që të rinjtë të njihen jo vetëm me vendet turistike të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me shkollat e tyre, duke krijuar kështu një traditë të re për të dy vendet tona”, - ka deklaruar ministri Tafaj pak ditë më parë.
Reforma e arsimit parauniversitar do të mbetet në hije gjatë vitit të ardhshëm, nga reforma e arsimit universitar, që pritet të ndryshojë rrënjësishëm konceptimin e universiteteve në vend. Megjithatë, nëse ndryshimet e parashikuara nga Ministria e Arsimit do të kthehen në realitet, ndryshimi i këtij sistemi pritet të jetë gjithashtu rrënjësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›