E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemerimi i Papandreut vletesimet per Greqine te padrejta

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu u shfaq tepër i zemëruar me agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, të cilat e kanë zhytur thellë kredibilitetin e qeverisë së tij në tregjet financiare. Disa herë brenda një kohe të shkurtër, agjencitë si “Standard and Poor” apo të tjera, kanë ulur besueshmërinë e Greqisë përballë kredidhënësve, pavarësisht reformave të ndërmarra nga qeveria e Athinës dhe sakrificave të mëdha të qytetarëve grekë.

Papandreu tha se Greqia nuk mund t’ia lejojë më vetes një tjetër zhvlerësim, pasi ka marrë përsipër një paketë të ashpër kursimesh dhe përgatitet që ta implementojë atë me një kosto të dhimbshme për grekët. “Tani është koha që jo vetëm Europa të lëshojë diçka, por edhe e gjithë skena ndërkombëtare. Jo vetëm për grekët, por për të gjithë popujt, pasi ndeshemi me forca përtej kufijve tanë”, tha Papandreu.

Pasi parlamenti kaloi paketën e kursimeve dhe ligjin për zbatimin e saj, siç njofton shtypi grek, Papandreu i ka dërguar një letër presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso. Në letër ai kërkon lëvrimin e shpejtë të subvencioneve të BE-së për të ndihmuar vendin t’i rikthehet rritjes ekonomike. Vetëm pak orë pas kalimit të ligjit të dytë, Papandreu i kërkoi Barrosos përshpejtimin e fondeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës, rrugëve dhe porteve.

Kryeministri ka kërkuar edhe që pjesëmarrja e shtetit grek në financimin e projekteve të infrastrukturës të pezullohet deri në 2013-ën, në mënyrë që fondet të fokusohen në rritjen ekonomike. Ndërsa në fundjavë pritet që Eurozona të miratojë më shumë ndihma për Greqinë, rreziku i falimentimit ende qëndron.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›