Reformë në shkollat e mesme ekonomike me ndihmën e Austrisë
Shqipëria dhe Austria kanë nënshkruar dje një marrëveshje për shkollat e mesme ekonomike, të cilat tashmë do të modernizohen sipas metodës austriake. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Florian Raunig, dhe përfaqësuesja e Kulturkontaktit Austria, znj. Monika Mott, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për nisjen e projektit “ALBIZ” (Albanian Business School), në kuadër të reformës së Arsimit të Mesëm Ekonomik në Shqipëri 2009-2013.
“Arsimi profesional është një ndër prioritetet që përcakton programi i qeverisë dhe politikat e MASH-it për këtë mandat në kuadrin e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës. Shqipëria është një vend me popullsi të re dhe për pasojë kërkesa për punë është shumë e lartë dhe kualifikimi në shkollat profesionale është një ndër rrugët kryesore dhe të suksesshme për të realizuar punësimin e djemve dhe vajzave të këtij vendi”, - tha ministri Tafaj.
Projekti “ALBIZ” (Albanian Business School) ka një financim prej 800 mijë eurosh nga i cili do të përfitojnë 11 shkolla të mesme ekonomike dhe rreth 80 mësues të këtyre shkollave.
Sipas tij, ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe objektivat e tij përputhen tërësisht me të gjithë objektivat e MASH-it në fushën e arsimit profesional. “Ai prek kurrikulat dhe çka është më e rëndësishme ai prek edhe mësuesit, por impakti i tij është i drejtpërdrejtë për së paku 4 mijë nxënës të shkollave të mesme ekonomike”, - vijoi Tafaj.
Ministri, gjithashtu, deklaroi se duhet të ndiqet një rrugë e re për menaxhimin e shkollave. “Ne e kemi për detyrë të thërrasim përfaqësuesit e njësive vendore në bordet e shkollave të arsimit profesional për të kuptuar çfarë ofron kurrikula dhe ne t’u ofrojmë këtë produkt që arrin të përmbushë detyrat që përmbajnë vendet e punës në komuna dhe bashki që jo patjetër duhet të jenë universitarë”, - tha ai.
Duke u ndalur në aspektet e projektit, ministri Tafaj nënvizoi në mënyrë të veçantë rolin e mësuesit, i cili është në epiqendër të të gjithë reformës së thellë arsimore në vendin tonë.
“Ne kemi arritur që mësuesi të jetë në vendin e tij të merituar në hierarkinë e pagave të sektorit publik shqiptar dhe ne kemi programe ambicioze që mbështesin drejtpërdrejt kualifikimin e vazhduar të mësuesve në mënyrë që ata të jenë gjithmonë të përditësuar në njohuritë e tyre, të njohin teknologjitë më të reja të mësimdhënies, tërësinë e metodave didaktike pedagogjike dhe të komunikimit.
Nëpërmjet këtij projekti synohet që të gjitha komunat dhe bashkitë e Shqipërisë dhe njësitë vendore të tyre të krijohen mundësi punësimi për të diplomuarit në shkollat e mesme ekonomike dhe të biznesit”, - u shpreh Tafaj.
Në përfundim të fjalës së tij, ministri Tafaj theksoi se me konsensusin e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës, do të fillojnë që këtë vit grantet për të nxitur vetëpunësimin e të rinjve që përfundojnë shkollat e mesme profesionale.