E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Rama, kujdes varkën!

Dinamika e këtij fenomeni të përmbytjeve u zhvillua në mënyrë veçanërisht më të dukshme pas datës 25 dhjetor të vitit që shkoi, ku faktikisht, në mënyrë pothuajse të pandërprerë, nga data 25 dhjetor deri në datën 10 janar, vendi ynë u përfshi nga një mot me reshje të vazhdueshme, shumë më të larta sesa mesatarja 20-vjeçare e reshjeve për të njëjtën periudhë të vitit. Në të njëjtën kohë patëm temperatura tepër të larta dhe jo të zakonshme për periudhën e fillimit të dimrit, shoqëruar kjo me një shkrirje masive të dëborës në zonat e Alpeve, që kryesisht u shkarkua në pellgun ujëmbledhës të Drinit dhe në lumenjtë e tjerë që derdhen në zonën e Nën-Shkodrës.
Deri në datën 7 janar ne patëm një nivel shkarkimesh në hidrocentralin e Vaut të Dejës prej 1300 metra kub në sekondë dhe sipërfaqja e përmbytur deri në këtë moment ishte rreth 3500 ha. Në vijim, me rritjen e shkarkimeve, për shkak edhe të rritjes së prurjeve deri në afro 2500 metra kub në sekondë, kjo kryesisht në datat 12-14 janar, sipërfaqja maksimale e përmbytjes arriti deri në 11400 ha. Niveli maksimal i prurjeve në kaskadën e Drinit arriti në një shifër rekord prej 2800 metra kub në sekondë.
Në dallim nga përmbytjet e mëparshme dhe duke marrë atë më të fundit me përmasa të krahasueshme, të vitit 2004, kjo përmbytje pati edhe një tjetër karakteristikë: tejzgjatjen në kohë. Sot, për shkak edhe të ndërprerjes së reshjeve dhe të shkarkimeve në të gjithë kaskadën e Drinit dhe të lumenjve të tjerë që derdhen në këtë basen, faktikisht ka filluar rënia e nivelit të ujit e rrjedhimisht edhe e sipërfaqes së përmbytur. Kështu, sot kemi vetëm rreth 6500 hektarë të përmbytur dhe kjo sipërfaqe vijon të zvogëlohet me shpejtësi nga dita në ditë.Sipërfaqja e mbjellë brenda kësaj sipërfaqeje të përmbytur prej 11400 hektarësh ishte rreth 5000 hektarë.

Masat e emergjencës
Në në momentin e paralajmërimeve për shkarkime të larta në hidrocentralin e Vaut të Dejës, të gjitha strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, sidomos ato rajonale, Bordi i Kullimit dhe Drejtoritë e Bujqësisë Shkodër e Lezhë, u angazhuan menjëherë për përballimin e kësaj situate. Për më tepër, në kuadër të veprimit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, strukturat tona arritën të hartojnë dhe miratojnë me kohë planin specifik të masave të ndërhyrjes paralele, në të njëjtën kohë që po zhvillohej në vetvete skenari i përmbytjes.
Duhet të theksoj se që në fillim të sezonit të shirave në muajin tetor, ne kemi marrë masa rigoroze duke lëshuar edhe urdhra me shkrim për të mundësuar një rritje të sigurisë së digave, duke mbajtur nivelin në të gjitha digat e rezervuarëve ujëmbledhës që shërbejnë për vaditje në Shqipëri, në kuota minimale apo në disa raste edhe zbrazjen aty ku digat kishin probleme. Kemi garantuar kullimin duke bërë kontrollin, por edhe punimet në kanalet kullues në këtë periudhë të parë të vjeshtës, ruajtjen e qëndrueshmërisë së argjinaturave si dhe mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve.
Në zonën e Nën-Shkodrës, me fillimin e shkarkimeve, vëmendjen tonë e përqendruam në mbikëqyrjen çast pas çasti të argjinaturave të të gjitha veprave mbrojtëse, si dhe të kolektorëve kryesorë kullues, bashkë me funksionimin e dy hidrovorëve kryesorë të kësaj zone, duke zhvendosur edhe mjetet dhe teknikën tonë, sipas rastit nga njëri vend në tjetrin. Falë ndërhyrjeve që kemi bërë në kohë, në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë, bashkë me ndihmesën e banorëve të komunave, u bë e mundur që të evitohej shkatërrimi i të gjithë këtyre argjinaturave, ndonëse ato kanë qenë të projektuara për prurje maksimale të lumit Bunë, vetëm rreth 2000 metra kub në sekondë. Ky ka qenë niveli teknik i sigurisë në projektimin e tyre. E dimë të gjithë tashmë se në kulmin e përmbytjeve, prurjet maksimale në Bunë arritën nivele 4000 – 4500 metra kub në sekondë. Ndërhyrjet e mëpasshme në argjinatura janë kryer duke bërë mbilartësimin e tyre dora-dorës, teksa uji rriste nivelin e në të njëjtën kohë duke riparuar pjesët e dëmtuara të tyre.
Në argjinaturën e Çasit, uji arriti ta kapërcente, duke shkaktuar edhe një çarje të pjesshme të saj, pavarësisht përforcimeve që po bënim me emergjencë në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë. Kjo argjinaturë faktikisht nuk e luan më funksionin e saj mbajtës dhe për momentin edhe hidrovori i Çasit, qoftë për shkak të përmbytjes, qoftë për shkak të barazimit të nivelit të ujërave në të dyja fushat që ai ndan, është i bllokuar dhe pritet të vihet në punë.
Me pakësimin e shkarkimeve në Vaun e Dejës, niveli i ujërave po bie me shpejtësi dhe po lirohen dhe sipërfaqet e përmbytura. Lumi i Bunës po zbret në shtratin e tij normal dhe faktikisht janë ndërprerë dhe shkarkimet në Fushën e Dajçit. Hapja e rrugëve rurale na ka mundësuar të rrisim intensitetin e ndërhyrjeve kudo ku janë vërejtur probleme dhe dëmtime në argjinaturat mbrojtëse.

Faza e dytë, rehabilitimi

Duke e quajtur të përfunduar fazën e emergjencës, ne kemi filluar planin e rehabilitimit si fazë e dytë, të sistemit të kullimit dhe argjinaturave mbrojtëse të zonës, duke pasur si objektiv që, brenda pak javëve, të kthejmë të gjithë sistemin e mbrojtjes nga përmbytja dhe të kanaleve të kullimit e gatishmërisë së hidrovorëve në gjendjen e para përmbytjes. Objektivi i dytë i këtyre masave të fazës së rehabilitimi është kullimi sa më i shpejtë i të gjithë zonës. Një pjesë e madhe e zonës do të kullohet brenda pak ditëve për shkak të gravitetit, por në zonë ka edhe xhepa, kullimi i të cilëve do të mundësohet vetëm nëpërmjet hidrovorëve, fuqizimit të tyre dhe thellimit të menjëhershëm të kanaleve kullues.
Sigurisht, plani më madhor është ai që do të zhvillohet jashtë kuadrit të krizës së emergjencës dhe do të synojë jo vetëm normalizimin e të gjithë sistemeve mbrojtës dhe kullues të zonës së Nën-Shkodrës, të Lezhës, por edhe të Vjosës në jug, që janë zonat më të prekura, por edhe një përmirësim cilësor të standardeve të cilësisë dhe sigurisë që duhet të kenë këto vepra kulluese dhe mbrojtëse.
Një problem të cilit i kemi kushtuar shumë vëmendje gjatë kësaj periudhe, ka qenë gjendja e blegtorisë dhe masat për mbrojtjen e kafshëve në periudhën e përmbytjes, duke pasur parasysh se kjo është një zonë intensive e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, por edhe duke pasur parasysh devotshmërinë që treguan këta banorë, për të shpëtuar krahas jetëve të tyre dhe familjeve të tyre, edhe jetën e kafshëve; pa dyshim që ishte një detyrim imediat për ne që të siguronim atë që u mungonte: bazën ushqimore për të mbajtur gjedhët, bagëtitë e imta etj. Në ditët e përmbytjes, krahas transportit shumë të vështirë, shpeshherë me varka dhe helikopterë të ushqimeve dhe ujit si nevojë prioritare të këtyre banorëve të izoluar, ne dërguam edhe zonat më të izoluara rreth 350 tonë koncentrat si dhe mbi 120 tonë ushqime të tjera për bagëtinë. Në bazë të vlerësimit që u kemi bërë nevojave ushqimore edhe për periudhën e pas përmbytjes (120 ditë), mendojmë se do të nevojiten rreth 760 tonë koncentrat dhe rreth 2900 tonë ushqime të llojeve të tjerë. Në këto momente, drejtoritë e bujqësisë po identifikojnë se ku mund të gjenden këto sasi si dhe po marrin masa për kontraktimin dhe magazinimin e tyre.
Sa u përket përmbytjeve në zonën e Lezhës, këtu situata u paraqit më e favorshme, ndonëse rreziku në momentet e parë, sidomos në datën 28 dhjetor, kur patëm një baticë të madhe të detit, ku uji i tij vërshoi furishëm dhe arriti të shkatërronte dhe digën e hidrovorit të Tales, duke rrezikuar të përmbyste me ujë të kripur rreth 3000 ha të fushës së Lezhës. Ndërhyrja deri dhe heroike qoftë dhe e trupave të ushtrisë, por edhe subjekteve privatë që treguan solidaritet dhe gatishmëri për të ndihmuar, u arrit shmangia e këtij rreziku. Përballimi deri në këtë nivel i situatës së përmbytjeve në këtë zonë, sigurisht nuk ka qenë vetëm rastësor dhe sigurisht që nuk ka ardhur vetëm për shkak të përmbajtjes së faktorëve natyrorë. Kanë qenë investime madhore të kryera në periudhën 2006-2009, që për nga vlera janë pothuajse aq sa ishte investuar në 8 vitet e mëparshëm në sistemet e kullimit dhe në hidrovorë, janë argjinaturat e shumta të përforcuara apo të bëra nga e para në lumin Kir, Gjadër, në Drin e Mat, janë thellimet e kanaleve të ujërave të larta dhe atyre të kullimit, është rinovimi i teknikës në pjesën më të madhe të hidrovorëve, që bënë që përmbytja të shfaqet vetëm deri në këto përmasa. Pa këto investime, përmasat e përmbytjes do të kishin qenë disa herë më të mëdha.
Pasojat tashmë të dukshme në ndryshimet e mëdha klimatike në globin tonë, vlerësimi i situatave të tilla të jashtëzakonshme si kjo përmbytje; rastësia probabilitare e kombinimit në kohë dhe në hapësirë e një morie faktorësh natyrorë riskues që jo vetëm shkaktojnë përmbytjen, por dhe shumëfishojnë përmasat dhe dimensionet e saj na detyrojnë sot të rishikojmë sa më parë planin kombëtar të sigurisë nga ky fenomen. Duke reflektuar saktësisht praninë e njëkohshme të këtyre faktorëve të riskut dhe duke përcaktuar dhe zbatuar qartë, që tani, standardet teknike më të larta të sigurisë, sesa ato që kemi përdorur gjatë 80 viteve në projektimin e veprave tona të sistemeve mbrojtës dhe të kullimit. Ky është konkluzioni kryesor që duhet nxjerrë nga eksperienca e kësaj përmbytje të fundit.

Absurdi i opozitës

Së fundi, dua të them se ka qenë thellësisht e padenjë, për integritetin profesional, fyese dhe e turpshme për mendjen dhe gjykimin racional, sharlatanizëm për këdo që e quan veten politikan apo subjekt politik, lloji i “analizave”, i “komenteve” apo i “skenarëve të shpëtimit nga përmbytja”, që një tabor me zell ekstrem, me xhaketa profesionistësh apo politikanësh, prodhoi apo përmbyti opinionin publik dhe mendjet e shqiptarëve, duke bërë madje garë edhe me rrebeshin e natyrës. Asnjëherë dhe për as edhe një çast, ky tabor që Rama mobilizoi në përgjigje të përmbytjes, nuk guxoi ta shikonte fenomenin në realitetin dhe përmasat me të cilat ai u shfaq, por me parathënie fallxhoresh dhe hesape matematikore groteske e dha shpejt konkluzionin e stisur, që “përmbytja ishte 100% e shmangshme”, “përmbytjen e shkaktoi qeveria” dhe konkluzionin e nxorrën po vetë: hajde të “mbysim qeverinë”, pa hallin e njerëzve të përmbytur e lëmë për më vonë.
Matematika që do të përdorte çdo mendje e shëndoshë për të parë se sa e beftë dhe mizore është ndonjëherë forca e natyrës dhe si duhet të reagojmë ne ndaj saj është e thjeshtë: ishin 2 miliardë e 70 milionë metra kub ujë, të shkarkuara nga Drini në të gjithë nivelet e Kaskadës, në Bunë e që faktikisht përbëjnë 4 herë volumin e kupës së Vaut të Dejës, 5 herë atë të Komanit apo gati nivelin e dobishëm të Fierzës. Për t’iu përgjigjur argumentit, është e domosdoshme të ngrihet pyetja: Si do të realizohej skenari i propozuar në Asamblenë e PS-së, për të mos derdhur asnjë pikë në Bunë? Kjo bëhet, por vetëm nëse Vaun e Dejës e mban bosh, Komanin e mban bosh dhe Fierzën e lë - në fillim të dhjetorit - jo më shumë se 275 metra. Sigurisht që është një skenar absurd, sepse kaskada është ngritur me një logjikë ekonomike dhe për një interes kombëtar, për të siguruar energji.
Por edhe sikur të donim t’i shkonim deri në fund absurdit të palës tjetër, kur duhej të bëhej kjo zbrazje dhe si duhej të ishim paralajmëruar për këtë zbrazje? Kush do të na kishte paralajmëruar? Po me këtë logjikë absurde, zbrazja duhej të kishte nisur që në shtator, në mënyrë që, të paktën deri në dhjetor, të kishim këto nivele që supozohen, domethënë që pjesa më e madhe të ishin bosh. Cili nga shërbimet sinoptike të botës, qoftë edhe ata më të sofistikuarit, do të parashikonte që në Adriatik do të kishim baticat më të larta të 100 viteve të fundit, që e rritën deri në 2 metra nivelin dhe që shkaktuan një lloj cunami, një hyrje të fuqishme të valës së detit, e cila jo vetëm bllokoi lumenjtë, por edhe hyri fuqishëm duke dëmtuar argjinaturat mbrojtëse në thellësi të tokës. Kush do të kishte parashikuar një temperaturë afrikane në fund të dhjetorit, e cila shkriu dëborën që kishte rënë vetëm 10 ditë më parë? Kush vallë do të parashikonte pleksjen dhe shfaqjen njëkohësisht të këtyre faktorëve që natyra deri sot i ka bërë bashkë vetëm një herë në shekull?
Sigurisht, atmosfera e përmbytjes ndoshta na lejon të bëjmë edhe ndonjë krahasim që, ndonëse është alegorik, mendoj se nuk i mungon realizmi. Zoti Rama, çdo ditë e më shumë po e ndrydh dhe po e fut PS-në me gjithë ndjekësit e saj, në një platformë dhe një gjendje politike absurde. Meqë jemi në kohë përmbytjeje, të ngjan si me Noen e lashtë, patriarkun e dikurshëm që i grumbulloi të gjitha speciet njerëzore dhe çdo gjallesë të tokës e ajrit e i futi në varkën legjendare të Noes, për t’i shpëtuar nga apokalipsi. Noeja ia arriti vërtetë qëllimit, sepse ai qe edhe burrë i urtë, edhe burrë i mençur. Zoti Rama, kujdes varkën! Së pari, sepse nuk je Noeja dhe nuk je as i urtë e as i mençur. Së dyti, nuk je nga ajo racë kapitenësh që, kur varka është në rrezik, ti rri i fundit e shpëton të gjithë të tjerët, duke u sakrifikuar vetë. Përkundrazi...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›