E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, vazhdimi i autostradës në Prishtinë po nga “Bechtel-Enka”

Vazhdimi i autostradës Durrës-Kukës-Morinë brenda kufijve të Kosovës do të bëhet nga e njëjta kompani, e cila e ndërtoi pjesën në Shqipëri. “Bechtel-Enka” është firma fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës Morinë-Prishtinë-Merdar në Kosovë. “Bechtel-Enka”, kompania amerikano-turke, e njëjta që ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Kukës-Morinë, në Shqipëri u shpall fituese pasi oferta e saj u miratua nga Komiteti Ndërministror. Lajmi është dje konfirmuar edhe nga vetë ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, edhe pse nuk ka bërë publike koston e autostradës që do ta përshkojë Kosovën. Sipas një vlerësimi të përafërt, kostoja e projektit do të jetë rreth 700 deri në 800 milionë euro. Autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar ka një gjatësi prej 117 kilometrash. Sipas të dhënave të ministrisë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1.062 hektarë tokë. Kompanitë që kanë ofertuar për ndërtimin e kësaj rruge janë: kompania "Alpine" nga Austria, konzorciumi amerikano-turk "Bechtel-Enka", që e ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Morinë, pastaj kompania "Makyol" nga Turqia, "Pizzaroti" nga Italia, "Porr" dhe "Strabag" nga Austria dhe "Terna" nga Greqia. Nga të gjitha kompanitë që kanë konkurruar, vetëm dy kanë dhënë ofertë financiare, “Bechtel” me 600 milionë euro dhe Strabag me një miliard euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›