E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refreni berishian i hidrocentraleve

Nga Eduard Zaloshnja

Në shfaqjen e tij të përjavshme para kamereva televizive, e cila zhvillohet para mbledhjes së qeverisë, Berisha sot kishte si kryefjalë koncensionet e hidrocentraleve. Ai tha se shfrytëzimi i burimeve hidro-energjetike është prioritet i prioriteteve të qeverisë së tij. (Çdo javë një çështje e caktuar e ka rradhën të quhet nga Berisha prioritet i prioriteteve të qeverisë së tij).
Sebep për lumin e gjatë të fjalëve të sotme të Berishës për hidrocentralet u bë nënshkrimi i një kontrate koncensioni për shfrytëzimin e lumenjëve nga një kompani private që do të ndërtojë 5 hidrocentrale. Në fakt Berisha i rikthehet herë pas here kësaj teme, sidomos para zgjedhjeve. (A ju kujtohet sesi, me dy eskavatorë në sfond, përuroi fillimin e punimeve të një projekti gjigand në lumin Devoll para zgjedhjeve të 2009-ës dhe më pas nuk u bë asnjë punim në të?)

Në fakt, qysh kur Berisha ka filluar këtë refrenin e hidrocentraleve, janë ndërtuar, siç e pohoi vetë sot, vetëm 71 hidrocentrale të veckël me kapacitet total 125 MW, ose sa rreth 1% e kapacitetit të hidrocentraleve ekzistuese. Sidoqoftë ai duket i vendosur që të gjithë lumenjtë tua japë për shfrytëzim firmave private.
Po eksperienca e vendeve të tjera çna tregon? Le të marrim një vend kapitalist si SHBA-ja, për shembull. Shumica dërrmuese e hidrocentraleve në SHBA janë ndërtuar nga qeveria federale në periudhën e depresionit ekonomik të viteve 30 të shekullit të kaluar. Ndërtimi i tyre u financua me obligacione shteterore të dedikuara, të cilat u shlyen gradualisht me të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike. Ndërtimi i tyre u shërbeu tri objektivave kryesore: 1-punësimit masiv kur papunësia kishte arritur në 25%; 2-disiplinimit te ujrave të lumejve; 3-furnizimit me energji të lirë i zonave rurale. Edhe sot ato hidrocentrale janë pronë shtetërore dhe vazhdojnë tu shërbejnë dy objektivave të fundit.

http://respublica.al/artikuj/2012/08/22/refreni-berishian-i-hidrocentraleve

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›