E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës: Asnjë tolerim ndaj abuzimit me detyrën nga punonjësit e bashkisë

28-08-2011 / Gazeta 55

Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave, Arben Kau sqaron arsyet që çuan në lirimin nga detyra të 51 inspektorëve. Sipas tij, punonjësit e tatim-taksave falë “legjitimimit “të informalitet në shkallë të gjerë, i kanë shkaktuar buxhetit të bashkisë një borxh prej 1.3 miliard lekësh. 51 inspektorët nuk kanë kryer detyrën në mënyrë efikase dhe në përputhje me ligjin. Ai paralajmëron të tjera masa ndëshkuese ndaj abuzimit me detyrën në bashkinë e Tiranës

Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës janë të vendosur të mos tolerojnë asnjë abuzim me detyrën, shkelje të ligjit apo barazisë para ligjit nga punonjësit e bashkisë. Këtë ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Arben Kau i cili sqaroi arsyet që çuan në vendimin për largimin e 51 inspektorëve të tatim- taksave.
“Performanca e dobët e realizimit të të ardhurave, vetëm 55% në 7 muaj dhe me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar informalitet në shkallë të gjerë”, ka argumentuar lirimin e tyre nga detyra Drejtori i Përgjithshëm të Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Arben Kau. Moskryerja e detyrës nga inspektorët tatimorë i ka shkaktuar Bashkisë së Tiranës, sipas drejtorit Arben Kau, një borxh tatimore prej 1 miliardë e 282 milionë lekësh. Arben Kau thotë se “janë konstatuar gjatë muajit Gusht 2011 afro 500 subjekte të paregjistruara, rreth 20.00 metër katrorë hapësirë publike të evidentuara dhe të padeklaruara”. “Zënie të hapësirave për parkingje dhe është konstatuar që shumë subjekte nuk kanë kontratë me bashkinë për zënien e këtyre hapësirave, duke krijuar një borxh tatimor prej 1 miliardë e 282 milionë lekësh”- tha kreu i Tatimeve në Bashkinë e Tiranës. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, largimi i këtyre inspektorëve është bërë pas një analize të të gjithë sektorëve për punën e kryer në 7 muajt e parë të këtij viti. Nga kjo analizë, sipas krye-tatimorit Arben Kau doli se të 51 inspektorët nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale. Drejtori i Përgjithshëm i Tatim- taksave e ka konsideruar absurd motivimin politik që i kanë bërë disa inspektorë largimit nga detyra.
“Nuk mendoj se këta inspektorë kanë hyrë në punë në bashki me teserë partie, prandaj është absurd pretendimi i tyre. Ne jemi të vendosur që të mos tolerojmë asnjë abuzim me detyrën, shkelje të ligjit apo barazisë para ligjit nga punonjësit e bashkisë së Tiranës”- shprehet zoti Arben Kau. E ndërsa inspektoret deklaruan se do t’i drejtohen prokurorisë, Arben Kau u shpreh i hapur për t’u përballur me pretendimet e tyre në të gjitha institucionet e vendit duke thënë se “jemi të hapur të respektojmë të gjitha afatet siç i parashikon ligji për punonjësit të cilët janë me kontratë pune në bashki dhe në vazhdimësi, po prapë e theksoj që jemi të hapur të përballemi me pretendimet e tyre në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar”. Dy ditë më parë Bashkia e Tiranës liroi nga detyra 51 inspektorë të tatim-taksave nisur nga performanca e ulët dhe favorizimi i informalitetit. Kësisoj, pushimi i tyre nga puna erdhi pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka analizuar punën 7-mujore të secilit prej inspektorëve dhe ka konstatuar se të liruarit nga detyra nuk kanë kryer detyrën, duke mos bërë kontrolle sipas ligjit, duke lejuar informalitet, deri në rritje të borxhit ndaj Bashkisë, që siç u theksua më lart kap shifrën astronomike prej 1.3 miliard lekësh. Shumë kjo që nëse do të ishte vjelur sipas ligjit në fuqi, mund të ishte përkthyer në më shumë shërbime për komunitetin dhe më shumë investime për qytetin. Sipas Bashkisë së Tiranës, ky është vetëm hapi i parë drejt formalizimit dhe garantimit të eficencës së plotë të punonjësve të administratës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›