E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohen paralele në gjuhën shqipe, protesta

Për shkak të këtij refuzimi rreth 170 nxënës shqiptarë kanë ngelur në rrugë, edhe pse tashmë ka filluar procesi mësimor. Prindërit e tyre nëpërmjet një këshilli të përkrahur edhe nga drejtori i kësaj shkolle, Halit Dehari kërkojnë zgjidhje urgjente vetëm nëpërmjet hapjes së paraleleve shtesë, në të kundërtën ata paralajmërojnë protesta para Qeverisë. Drejtoria e shkollës theksoi se pikërisht Ministria e Arsimit këtë vit shkurtoi numrin e paraleleve në mjekësi nga 17 në 12 paralele.

“Kërkojmë që të na kthehen paralelet që kanë qenë viteve të kaluara. Fëmijët tanë kanë ngelur në rrugë dhe bëhet fjalë për nxënës të shkëlqyer”, thekson Zija Veliu, përfaqësues i Këshillit të prindërve, duke kërkuar përgjegjësi edhe nga zëvendësministrja e Arsimit, Lindita Qazimi. Drejtori i kësaj qendre të mesme Halit Dehari ka theksuar se po angazhohet maksimalisht për të gjetur një zgjidhje, por sipas tij problemi qëndron tek Ministria e Arsimit.
 
“Nuk kemi përgjigje për disa javë nga kjo ministri, e cila mban përgjegjësinë. Njëherë thuhet se arsimi i mesëm është i obligueshëm, ndërsa tani kushtëzohen fëmijët. Kërkojmë që ministria të mundësojë hapjen e tri paraleleve, për të gjetur një zgjidhje”, ka theksuar drejtori Dehari. Në tejkalimin e kësaj situate, është kyçur edhe komuna e Tetovës, e cila po insiston që të arrihet një zgjidhje në këtë shkollë. (INA)
 

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›