E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet rekursi Dondollakut për vrasjen e Klenti Banos

Mbrojtësi i krahut të djathtë të Aldo Bares kishte depozituar një kërkesë në Gjykatën e Lartë, kundër vendimit të Apelit


Numri 2, i Bandës së Lushnjes është dënuar në vitin 2007, me 25 vite burg për vrasjen e oficerit të policisë


TIRANË- Gjykata e Lartë refuzoi dje rekursin e përfaqësuesit ligjor të të pandehurit Enver Dondollaku, i dënuar tashmë në formën e prerë me 25 vjet burg, për vrasjen e ish-oficerit të hetimit të krimeve të Lushnjes, Klenti Bano, dhe katër personave të tjerë.


Vendimi i treshes gjykuese të kësaj gjykate, shqyrtimit të rekursit të depozituar në maj të vitit 2008, ishte që të mos pranohej dosja penale ku krahu i djathtë i "kreut" të bandës së Lushnjës, Aldo Bares, Enver Dondollaku, është dënuar përfundimisht me 25 vjet burg, duke i shpëtuar burgimit të përjetshëm për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.


Sipas burimeve nga togat e zeza, mësohet se arsyetimi i mos pranimit të rekursit të të pandehurit Dondollaku, ka qenë mos bindja e gjyqtarëve që shqyrtuan kërkesën për rekurs për shkelje të rënda procedurale nga dy shkallët e gjyqësorit të cilët e kanë dënuar përfundimisht me 25 vite burg.


Sipas këtij vendimi, mësohet se dosja ndaj të pandehurit Dondollaku është veçuar nga të pandehurit Maksim Çela, Dritan Vila, Erion Cici dhe i penduari Petrit Liçi të cilët tashmë janë dënuar në formën e prerë me masa të ndryshme dënimi.


Veçimi i dosjes së Dondollakut, sipas arsyetimit të vendimit, u bë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për shkak të vonesës së përgjigjes së letër-porosisë së dërguar në Itali ku ishte arrestuar i pandehuri për njoftimin e tij për gjyqin.


Pas ndarjes së çështjes, i pandehuri u gjykua veçmas, ku pas tri seancave gjyqësore, konkretisht më 27 dhjetor 2007, u vendos dënimi i tij me burgim të përjetshëm, por nga aplikimii i gjykimit të shkurtuar i pandehuri Dondollaku u dënua me 25 vjet burg. Po ky vendim, u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në shkurt të vitit 2008, vendime këto që u bënë shkak për avokatët që në maj të vitit 2008 t'i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë.


Kjo masë dënimi, sipas vendimeve të gjykatës, iu dhanë të pandehurit Dondollaku për shkak se u provua se ka marrë pjesë në pesë vrasje të kryera gjatë viteve 1997-2003 në qytetin e Lushnjës për llogari të "bandës" së drejtuar nga i arrestuari tashmë në Turqi, Aldo Bare. Sipas vendimit, i pandehuri ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale të "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës", ku mbeti i vrarë Klenti Bano, ish-oficer krimesh në Lushnje.


Për akuzën e "vrasjes me paramendim" në kohë të ndryshme të shtetasve: Bledar Haxhiu, Artan Sulçe, Nosh Gjeloshaj dhe Alfred Pirra, si dhe në "vrasjen e mbetur në tentativë" të shtetasit Bernard Linatopit. Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, janë kryer nga i pandehuri në kuadër të organizatës kriminale si dhe pjesëmarrjen e tij në krijimin e kësaj "bande" famëkeqe në qytetin e Lushnjës për disa vite, 1997-2003.


Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, i pandehuri Enver Dondollaku i dënuar edhe në Itali me 16 vjet burg për "trafik droge" ku dhe po vuan dënimin, i shpëtoi edhe një dënimi tjetër me burgim të dytë të përjetshëm falë aplikimit të gjykimit të shkurtuar, të vendosur nga togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, vendim ky që tashmë ndodhet i ankimuar pranë Gjykatës së Apelit në kryeqytet.


Dondollaku i dënuar në Itali me 16 vjet burg


TIRANË- Njeriu i konsideruar si krahu i djathtë i Aldo Bares, i pandehuri Enver Dondollaku, është shpallur fajtor për një sërë akuzash edhe në shtetin fqinjë Itali, ku përfundimisht është dënuar me 16 vjet burg.


Ky vendim i togave të zeza të Gjykatës së Torinos është dhënë më 26 prill 2007, pas një procesi të gjatë gjyqësor ku i pandehuri Dondollaku bashkë me 27 të pandehur të tjerë është gjykuar për veprat penale të "trafikimit të lëndëve narkotike" në bashkëpunim dhe krijimit të organizatave kriminale.


Enver Dondollaku, sipas vendimit të gjykatës, është arrestuar në vitin 2006 në Spanjë me një pasaportë sllovake ku është deportuar në Itali, për llogari të Prokurorisë së Torinos. Sipas hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Dondollaku bënte pjesë në një organizatë kriminale të trafikut të drogës që vinte nga Turqia, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri (Kosovë), Itali, më pas Çeki, Gjermani e Holandë.


Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2001, Gjykata e Apelit në Durrës, me kërkesë të prokurorisë dhe pas shqyrtimit të provave materiale ka vendosur të deklarojë fajtor të pandehurin Dondollaku duke e dënuar përfundimisht me pesë vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "heqjes së paligjshme të lirisë".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›