Malakarne: Me pak kujdes mund ti kalojmë moldavët
Shënoi golin e vetëm të Dinamos në sfidën e luajtur në Tiraspol kundër Sherifit. Blutë e drejtuar nga trajneri argjentinas, Luis Manuel Blanko, u mposhtën me rezultatin 3-1 nga kampionët e Moldavisë, por janë optimistë se mund të kualifikohen në turin e tretë eliminator të Champions League. Mbrojtësi Lukas Malakarne ka shprehur besim se dinamovitët mund ta përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë, gjatë sfidës që do të luhet të martën e ardhshme (më 20 korrik) në Tiranë. Autori i golit të vetëm të kampionëve të Kategorisë Superiore deklaroi: “Humbëm në ndeshjen e parë në Moldavi, por kjo erdhi më së shumti për faktin që mbetëm në inferioritet numerik. Gjithsesi, Sherifi nuk është ndonjë skuadër e pakalueshme dhe me pak kujdes në mbrojtje mund të kualifikohemi”. Në takimin e kthimit, Dinamo do të jetë pa sulmuesin Elis Bakaj, i cili u largua me karton të kuq në minutën e 68-të të sfidës së luajtur në tokën moldave.
#