E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzon kandidaturën

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj-Bujupi përfundimisht i ka thënë jo ofertës së partisë së saj për t’u kandiduar për kryetare të Istogut.

Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës të shtunën zyrtarisht ia ka kumtuar “Jo”-në e saj liderit të AAK’së Ramush Haradinaj.

“Unë e kam njoftuar sot degën e AAK’së në Istog dhe kryetarin e partisë Haradinajn se nuk mundem të pranojë ofertën për të kandiduar në zgjedhjet për kryetare të Istogut”, konfirmoi të shtunën për Express Kadaj-Bujupi.

Arsyeja që e ka shtyrë Kadajn-Bujupi ta refuzojë ofertën e partisë për kandidate në Istog është se ajo qe disa javë është duke u kujdesur për babën e vet i cili është i sëmurë.

“Rrethanat familjare që më kanë ndodhur kohëve të fundit, më kanë detyruar mos ta pranoj ofertën për kandidaturë. Përndryshe qëndrimi im ka qenë që të shkojë atje dhe ti ndihmojë qytetarët me projekte me ide në të mirë të zhvillimit të Istogut. Por këto rrethana në familje”, tha ajo.

Dega e AAK’së në Istog i ka bërë ofertë për të kandiduar edhe Muhamet Shatrit, vëllait të deputetit të AAK’së Haki Shatri. Por, përgjigja ka qenë negative.
Muhameti, për dallim nga Hakiu, nuk ka vendosur ta braktisë LDK’në. Ai tha për Express se vazhdon të jetë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.
“Kam pas ofertë për të kandiduar, bile ka pas këmbëngulje për këtë, por unë nuk kam mundur ta pranojë sepse jam anëtar i Lidhjes Demokratike. Nuk e kam parë të nevojshme ta marrë një hap të tillë që ta pranojë të dal kandidat për AAK’në”, tha Shatri, të shtunën.

Pas refuzimit të kandidaturës nga ana e Kadaj-Bujupit dhe Shatrit, AAK’së i ka mbetur vetëm edhe një alternativë – ta rikandidoj Naim Imeraj,n i cili në zgjedhjet e 13 dhjetorit 2009, humbi garën e balotazhit për kryetar të Istogut.

“Ne si parti i kemi pas këta tre emra si kandidatë të mundshëm. Tani nevojitet vetëm konfirmimi i kandidatit nga këta tre emra”, tha të shtunën për Express, Bekë Berisha, kryetar i degës së AAK’së në Istog.

Por, edhe pse ka mbetur emri i vetëm nga pretendentët për kryetar të Istogut nga radhët e AAK’së, Naim Imeraj ende nuk mund të besoj dhe të flasë për kandidaturën e re të tij.
Ai tha se partia vendosë për këtë dhe po pret vendimin e partisë.

“Realisht e di që tre emra kemi qenë si të mundshëm. Për tërheqjen e dy kandidatëve tjerë unë nuk e di, prej jush po dëgjoj. Por, për këtë çështje tek ne në parti vendosë kryetari i degës, Bekë Berisha dhe tani presim se kur dhe çfarë do të vendoset”, tha Imeraj.

Deri tani për zgjedhjet në Istog vetëm LDK’ja ka dalë me emrin e kandidatit të saj, Haki Rugova, ndërkaq PDK, AKR dhe LDD ende nuk kanë vendosur për përfaqësuesit e tyre.
KQZ ka vendosur që në Istog të ketë dhjetë ditë fushatë zgjedhore ndërsa më 11 prill është caktuar dita e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›