Regjimi ushtarak i Egjiptit në qendër të kritikave

Autoritetet ushtarake të Egjiptit kanë marrë një varg kritikash të reja ndërkombëtare, pas disa ditëve të protestave të dhunshme që deri më tani kanë çuar në vrasjen e të paktën 24 personave.
Pas tri ditëve të dhunës në Sheshin Tahrir në Kajro, kabineti qeveritar i Egjiptit ofroi të hënën dorëheqjen, por oferta nuk u miratua menjëherë nga Këshilli ushtarak i vendit.
Mësohet se qeveria civile vlerësohet të jetë e dobët kur bëhet fjalë për kompetencat në qeverisjen e vendit.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, vlerësoi se autoritetet ushtarake të Egjiptit “kanë dështuar plotësisht” në respektimin e të drejtave të njeriut.
Deklarata akuzon Këshillin Suprem të Forcave të Armatosura për përdorim të taktikave shtypëse-të ngjashme me ato që ka përdorur ish-presidenti i vendit, Hosni Mubarak.