E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buzek: BE duhet të aprovojë kandidaturën e Serbisë

Kreu i parlamentit evropian, Jirzhi Buzek, ka thënë sot se Bashkimi Evropian duhet të aprovojë kandidaturën e Serbisë në mbledhjen e dhjetorit.

"Në dhjetor ne duhet të vendosim ta pranojmë Serbinë si kandidate dhe t`i japim një shenjë se jemi afër tyre dhe se do të dëshironim t`i mbështesnim”, u tha presidenti i parlamentit evropian reporterëve në Helsink.

Një samit i Këshillit Evropian pritet të mbahet më 9 dhjetor për të diskutuar çështjen e zgjerimit të BE-së dhe mund t`i japë dritën jeshile Serbisë për statusin e kandidatit.

Ndërsa bisedimet zyrtare për kandidaturë mund të marrin rreth një vit kohë , Buzek theksoi rëndësinë e njohjes së reformave të vështira që Serbia ka zbatuar.

Në anën tjetër, në një konferencë të ndarë në Helsinki, ministri finlandez për çështje të BE-së, Aleksander Stub, ka reaguar ndaj komenteve të Buzekut, duke thënë se Finlanda e mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian por vetëm atëherë kur përmbushen kriteret.

“Ka sigurisht pyetje të pazgjidhura të cilat duhet të zgjidhen para se negociatat të mund të nisin. Njëra prej tyre është e lidhur me Kosovën”, tha Stub.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›