E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjisori Nikolin Gurakuqi sjell në skenën operistike “Manon Lescaut” të Puçinit

Izaura Ndoj

Kompozitori i njohur italian Pucini sjell emocione të veçanta për publikun e kryeqytetit, në fillim të sezonit në Teatrin e Operës dhe Baletit. “Manon Lescaut” titullohet opera që vjen premierë në skenën e këtij institucioni, që sjell për spektatorin shqiptar një ndër veprat më të mira të Xhakomo Puçinit. Vepra, e cila mban firmën e kompozitorit të njohur italian Puçini pritet të jetë premiera e parë në TKOB për 2010. Vepra, do të vijë nën regjin e një prej emrave më të njohur të skenës operistike Nikolin Gurakuqi, ku do të ngjisë në skenë disa nga zërat operistik shqiptarë. Për publikun kryeqytetas do të vijnë Irini Nikolla, Shoresa Beka, Eva Golemi, Erlin Zeraliu etj, të cilët të udhëhequr nga regjisori Gurakuqi premtojnë të sjellin në skenë një shfaqje të bukur dhe me vlera artistike. Regjisori Nikolin Gurakuqi i ka filluar përgatitjet qysh sezonin e kaluar për t`i vijuar ato në datën 7 janar e në vijim. “Manon Lescaut” është një opera me katër akte, e cila sjell një histori interesante në skenën operistike. Një dashuri e cila do të kthehet në tragjedi në këtë vepër,që është cilësuar si triumf i kompozitorit të njohur italian Puçini. Vepra, e cila u vendos për herë të parë në vitin 1983 në skenën italiane do të vijë premierë për publikun shqiptar në skenën e TKOB. Viti 2009 ka qenë një vit i larmishëm dhe me arritje, pasi ky institucion ka shfaqur premiera operistike, koncerte në të cilat janë angazhuar artistët më të mirë të tij. Bashkëpunimet ndërmjet artistëve shqiptar dhe atyre të huaj kanë qenë dhe vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në skenën e TOB-së, pasi janë ndërthurur mjaftë mirë duke sjell eksperiencat e tyre në skenat shqiptare. Këto bashkëpunime kanë bërë që skena jonë dhe arti shqiptar të jetë konkurrues në skenat botërore. Por sigurisht që kjo nuk është e vetmja vepër e Puçinit që është ngjitur në skenën e TKOB. Kështu, një tjetër pjesë po kaq e rëndësishme është edhe ajo e titulluar “Triptiku”, (“Il Trittico”) që ka ardhur për publikun shqiptar në vitin 2008, në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Puçinit, i konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë e fundit të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të. Ishte një pjesë e Puçinit, e cila erdhi me tre vepra operistike brenda një nate, konkretisht “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schiçhi”. Viti 2008 është shpallur në Evropë si "Viti i Puçinit" në 150-vjetorin e lindjes. Kështu që mbrëmja e pagëzuar “Viss d’Arte”, që u organizua para disa kohësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, solli për publikun e metropolit shqiptar pjesë nga veprat më pikante të kompozitorit italian Puçini. Opera e tij e parë ishte “Le Villi” në vitin 1884, ndërsa triumfi i tij i parë ishte “Manon Lescaut” në vitin 1893. Përveç se shkroi dymbëdhjetë opera, Puçini kompozoi edhe vepra të tjera të njohura si një “Meshë solemne”, një ''Himn për Romën'', një kapriçio simfonike, dy prelude simfonike etj. Ndërkohë që një sukses me vepra të këtij kompozitori regjisori Nikolin Gurakuqi ka pasur dhe me veprën ‘Tosca”. Nën regjinë e Gurakuqit, kjo opera pati si kormaestër Dritan Lumshi, ndërsa solistët e ftuar përveç protagonistëve shqiptarë Edith Mihali, Sonila Baboçi, Armaldo Kllogjëri etj, ishin dhe Agim Hushi dhe Suat Arykan.

Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizual: Stop piraterisë së filmit shqiptar

Shkelja e të drejtave të autorit në vendin tonë ka bërë që Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizual të reagoj në mënyrë të ashpër ndaj këtij fenomeni, që sot është i pranishëm dhe ka pleksur tregun shqiptar. Ky forum i ka kërkuar komisionit të medias ndryshimin e ligjit numër 23 për Kinematografinë. Një ndër anëtarët e bordit të forumit, Esat Musliu ka kërkuar gjatë mbledhjes që filmat e kinematografisë shqiptare të mos jenë në administrim të Qendrës Kombëtare Kinematografisë, por të kalojnë në administrimin e tyre në mënyrë që ata të kenë mundësi të kontrollojnë piraterinë e filmit në Shqipëri. Shpesh herë është bërë thirrje për të parandaluar piraterinë. Në tregun shqiptar shkelen hapur të drejtat e pronësisë intelektuale, por masat që merren për të parandaluar këtë fenomen janë mjaftë të pakta. Gjatë fjalës së tij Sajmir Kumbaro shprehu se administrimi i filmave nga Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizual do ti hap rrugë kontrollit dhe eliminimit të piraterisë që mbizotëron në tregun shqiptar. Në seancën dëgjimorë të mbajtur ditën e djeshme në komisionin e medias kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues juridik të Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, si dhe përfaqësues së QKK-së.

Promovohet edicioni i tetë i “Brerore lirie” në Suharek
Sot në kuadër të shënimit të ditëlindjes së iluministes shqiptare, Elena Gjika, Shoqata për art dhe kulturë “Elena Gjika- Dora d’Istria” nga Suhareka, promovon edicionin e 8-të të Librit “Brerore lirie”. Shoqata për art dhe kulturë “Elena Gjika- Doira d’Istria” është themeluar më 29 dhjetor të vitit 1975. Disa vite me radhë ishte vetëm si një klub letrar ku tuboheshin krijues të komunës së Suharekës. Më vonë zgjeroi aktivitetin e saj edhe me përgatitjen e shfaqjeve dramatike. Kështu ndodhi deri më vitet nëntëdhjeta kur nga pushteti okupator serb u shuan të gjitha institucionet shqiptare. Në këtë kohë barrën e të gjitha aktiviteteve kulturore në nivel komune i mori Shoqata për art dhe kulturë “Elena Gjika – Dora d’Istria”. Veç aktiviteteve tjera Shoqata botoi edhe librin “Brerore lirie” të cilin e konsideron si organ të saj. Nëpër faqet e këtyre librave prezantuan rreth 100 krijues, disa nga këta sot janë emra të shquar të letrave shqipe në Kosovë, si: Nuhi Veselaj, Destan Bajraktari, Ragip Sylaj, Arben Veselaj etj. Shumë prej tyre kanë edhe përmbledhje individuale, qoftë me poezi apo edhe me proza të shkurtra. Disa kanë bërë përpjekje të shkruajnë edhe lloje tjera letrare, si : romane, drama etj. Lirisht mund të thuhet se Shoqata po e kryen mirë misionin e vet për përhapjen e dashurisë për fjalën e shkruar artistike, për fjalën e thënë bukur, për kultivimin e vlerave krijuese.

29 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›