Regjisori i njohur italian: Tirana nuk paska gjurmë historie, Durrësi nuk paska kinema
Një grup i madh kineastësh dhe spektatorësh morën pjesë në premierën shqiptare të filmit Sorrelle mai të regjisorit të njohur italian Marko Belokio. Në ceremoni erdhi edhe vetë autori nga Italia, për të diskutuar me kolegët dhe studentët shqiptarë. Regjisori italian Marko Belokio dhe regjisori shqiptar Dhimitër Anagnosti firmosën pllakat e qeramikës, të cilat vendosen për respekt të veprës së tyre në sheshin e yjeve para teatrit Moisiu. Sheshi i yjeve i ndërtuar këto ditë mban edhe nënshkrimet e kineastëve dhe aktorëve të shquar si Fransis Ford Kopola, Sandër Prosi, Xhanfise Keko, Klaudia Kardinale, Agim Qirjaqi, Ian Harlan e shumë të tjerë.
Për shkak të krizës tani njerëzit në Itali shkojnë shumë më pak në kinema, ndërsa regjisorët po krijojnë filma më pak të kushtueshëm. Por këtu në Shqipëri ka probleme më të mëdha. Këtu në Durrës organizohet prej disa vjetësh një festival shumë i njohur ndërkombëtar i filmit artistik, por qyteti nuk ka asnjë kinema të vetme. Ky është qytet i madh dhe kjo mungesë është një problem i madh. Në Tiranë nuk gjen asgjë nga arkitektura madhështore apo qendrat tërheqëse, por mund të ndjehet shpirti i të rinjve që përpiqen për të krijuar veprat e tyre dhe për të sjellë diçka të re në kulturën shqiptare. Kur një njeri i moshës sime dhe me interesat e mia viziton një vend të ri, gjëja e parë që kërkon të bëjë është të njihet me godinat që dëshmojnë stilet arkitektonike dhe arkitekturore, të vizitojë kishat, por në Tiranë nuk gjeta asgjë nga këto, tha Belokio, ndërkohë që është e kuptueshme që filmi i tij u shfaq në teatër./VOA