E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjisorja femër e ‘Kapedanit’ në kinemanë e arkivit

Pikërisht ai Kapedani namuzmadh është realizuar edhe falë punës së asistentes regjisore Liri Brahimi, e cila më pas do të bëhej regjisore e filmit dokumentar. Në muajin e grave kineaste sot është radha e krijimtarisë së regjisores Liri Brahimi, e cila do të prezantohet në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit me tre dokumentarë: “Nëpër ditaret e luftës” (1984), “Dëshmitari i dy epokave” (1984), dhe “Përse kështu” (1991). Në këta filma ka bashkëpunuar me skenaristët Luan Rama, Esat Musliu, Kolec Traboini dhe montazhieret Neriman Furxhi, Marika Vila dhe Eli Coja. Liri Brahimi, regjisore e filmit dokumentar, u lind në Brataj të Vlorës më 1938. Pasi kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve filloi punë në Teatrin Kombëtar si aktore. Më pas, në vitin 1970 kalon si regjisore në Kinostudio. Fillimisht punoi si as/regjisore në disa filma artistikë dhe më pas kaloi regjisore në sektorin e filmit dokumentar, ku realizoi rreth 20 filma për një dekadë e gjysmë, si “I çoni fjalë nënës”, “Përse kështu?”, “Dëshmitari i dy epokave”, “Monumentet e natyrës”, “Nëpër ditaret e luftës”, “Mjeshtri i violinave” etj., me të cilët është vlerësuar me çmime në Festivalet Kombëtare të Filmit. Së fundi, ajo ka botuar edhe një libër me kujtime “Unë dhe filmi”, botim i shtëpisë botuese “Toena”, në të cilën tregon udhën e saj drejt krijimtarisë, përvojat dhe peripecitë drejt artit të shtatë. Ky libër do të promovohet sot, së bashku me tre filma nga krijimtaria e saj, në kuadër të muajit të kineasteve femra.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›