Armando Lulaj, “Pa mëshirë” në Milano
Me ekspozitën “Pa mëshirë” artisti shqiptar Armando Lulaj kthehet në Galerinë Artra në Milano, pas ekspozitës së tij të parë në këtë galeri në vitin 2006. Ekspozita që hapet të hënën, më 21 mars, është një tjetër takim me skenën artistike të Europës Perëndimore, së cilës Galleria Artra ka vendosur t’i kushtojë sezonin në vazhdim.
Pas ekspozitave personale të Koka Ramishvili, Pavel Braila dhe Deimantas Narkevicus, ajo e Armando Lulajt nuk është aq refleksion mbi vështirësitë e trashëguara nga e kaluara socialiste sesa një regjistrim të traumave që ndeshen në ditët e sotme. Veterani i Bienaleve është gjithmonë autor i inskenimit të antagonizmit dhe dinamikës së konkurrencës. Pas simboleve plastike të pushtetit, enigmës pas çdo fotografie, videove dhe pas alegorive të performancës së tij ka gjithmonë një hendek, një boshllëk që duhet ta deshifrojmë. Ekspozita “Pa mëshirë” është shpjegimi i të gjitha figurave të një teatri të vjetër, të një teatri të ri dhe te nënshtrimi që në këtë ekspozitë gjen përmbushjen e saj në atë neonin e gjatë 5 metra që është vendosur në murin përballe të galerisë. Armando Lulaj është pjesëmarrës në disa Bienale. Në vitin 2005 merr pjesë në Bienalen e Berlinit me videon “Problems with relationships”, në Bienalen e Pragës (2003 e 2007), Bienalen e Tiranës (2005). Ka qenë pjesëmarrës në pavijonin shqiptar në Bienalen e 52-të të Venecias, në Bienalen e Gotenburgut, Bienalen e “Baltic of Contemporary Art 8”, Poloni etj. Prandaj ai etiketohet si veteran i bienaleve. Ekspozita e tij në Milano do të hapet nga data 21 mars - 14 maj në galerinë Artra në Milano.