Regjistrimi, Dule:Ligji i ndryshuar nuk garanton standardet
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule në një konferencë për shtyp ka theksuar se kjo parti e bindur në domosdoshmërinë e mbajtjes së regjistrimit të popullsisë insiston në një zhvillim të tillë.
“Regjistrimi me vetdeklarim përbën të vetmin instrument bashkëkohor në shtetin e së drejtës që i jep mundësinë çdo shoqërie dhe vendi që të mbështesë hartimin e politikave të veta për respektimin e të drejtave të qytetarit pavarësisht përkatësisë së tij fetare, origjinës etnike, gjuhës amtare dhe veçorive të tjera mbi standarde të qëndrueshme që garantojnë koherencë sociale për çdo vend e aq më shumë për vendin tonë që aderon për në BE. Konstatojmë me keqardhje se me mendimet e fundit në ligjin mbi censusin abrogohet e drejta thelbësore e vetdeklarimit, penalizohet ajo dhe në të njëjtën kohë shkelet parimi i konfidencialitetit të të dhënave në census. Për rrjedhojë një regjistrim i tillë nuk mund të jetë i standardeve evropiane por një regjistrim hibrid ku qeveria nga njëra anë kërkon ti hedhë hi në sy komunitetit ndërkombëtar e në fakt do kemi një regjistrim të ngjashëm me ato të zhvilluar në sistemin totalitar”, theksoi Dule.
Ai gjithashtu theksoi se ligji për regjistrimin e popullsisë nuk është aspak transparent pasi ligji parashikon që tetë javë përpara regjistrimit duhet të nisë fushata informuese dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. “Duhet të ishin funksional komisionet përgjegjëse për mbajtjen e censusit e në krye të tyre janë kryetarët e qarqeve. Tek ne ende nuk janë konstatuar këshillat e qarqeve dhe nuk janë zgjedhur kryetarët e qarqeve”, shtoi Dule.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me ngritjen e bustit të Aristotel Gumës në Himarë, kreu i PBDNJ-it theksoi se u përkujtua një vjetori i vrasjes së të ndjerit Aristotel Guma dhe në aspektin njerëzor, fetar dhe shoqëror.
“Ne nuk ndjejmë detyrimin më të vogël aq më tepër ndaj zotërinjve të tipit Xhufi se si do nderojmë ata që mendojmë ne se duhen nderuar. Jemi në momente të tensionuara për shkak të ngërçit politik, në kohëra të turbullta që janë të vaforshme për spekulantë të politikës që mendojmë se mund të peshkojnë kështu vota. Është hera e fundit që edhe komentojmë dhe hymë në debat me individë e grupime që kanë shumë veçori të përbashkëta me kategorinë e batakçinjve politikë. Shqipëria ka nevojë për zëra racionalë”, shtoi më tej Dule.