E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi i popullsisë, OMONIA pjesë e anketuesve

Përgjegjësi i INSTAT-it, Sami Mecollari, theksoi dje se mes 1400 personave që do të kujdesen për realizimin e këtij procesi, në fazën e aplikimit, janë paraqitur si aplikantë edhe 6 anëtarë të kësaj organizate

TIRANË Anëtarë të organizatës së minoritetit grek “Omonia” në Korçë do të jenë pjesë e anketuesve, që do të merren me regjistrimin e popullsisë. Përgjegjësi i INSTAT-it, Sami Mecollari, theksoi dje se mes 1400 personave që do të kujdesen për realizimin e këtij procesi, në fazën e aplikimit janë paraqitur si aplikantë edhe 6 anëtarë të kësaj organizate. “Erdhën nga 6-7 veta nga kjo organizatë... nuk e di nëse do të mund të fitojnë apo jo... nuk ka pse ata të mos marrin pjesë”, - tha ai. Mecollari shtoi se ata mund të jenë të përshtatshëm për zona të caktuara. Procesi i regjistrimit të popullsisë përfshin plotësimin e një procesverbali me 40 pyetje, ku përveç të dhënave të tjera pikë kyçe mbetet deklarimi i kombësisë. Tashmë në qarkun e Korçës ka nisur punën edhe Komisioni i Censusit të Popullsisë, i cili është njohur nga afër me detyrat dhe prioritetet e këtij procesi. Pak kohë më parë, presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi në limitet kohore ligjin e shumëdebatuar “Për censusin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, ose siç njihet ndryshe si ligji që do të bëjë të mundur regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare. Në bazë të ligjit, INSTAT do të detyrohet që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe t’i ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile. Sipas ligjit, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij në pyetësor, jo vetëm që do të dënohet me gjobën 100 mijë lekë të reja, por INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka miratuar një shtesë fondi në buxhetin e Institutit të Statistikave prej afro 780 milionë lekësh të vjetra, të cilat do të përdoren pikërisht për këtë proces. Më konkretisht, vendimi i qeverisë përcakton se INSTAT-it do t’i shtohet fondi me shumën 47 100 000 (dyzet e shtatë milionë e njëqind mijë) lekë të reja për të paguar punën e të gjithë atyre personave që do të rekrutohen në realizimin e këtij projekti në terren. Gjithashtu, do të shtohet fondi me shumën 31 000 000 (tridhjetë e një milionë) lekë, për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. Për shkak se një gjë e tillë nuk ishte parashikuar në Buxhetin e Shtetit të amenduar vetëm para pak muajsh, shuma e mësipërme do të përballohet nga fondi rezervë. Ky do të jetë fondi i vetëm që do të vihet në funksion të censusit, pasi siç dihet tashmë për realizimin e tij janë akorduar edhe donacione nga Bashkimi Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›