Regjistrimi i pronave, procedurat e reja të ankimimit
Projektligji i ri “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” përcakton një procedurë të re ankimimi për personat pretendues. Drafti përcakton se, kundёr vendimit tё regjistruesit mund të bëhet ankim te kryeregjistruesi brenda 30 ditёve. Ndërsa kundër vendimit të kryeregjistruesit ose mosmarrjes së tij, personat mund të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit. Draft-ligji parashikon gjithashtu edhe dëmshpërblimin. Me kërkesë të çdo pale të interesuar, regjistruesi merr vendim të veçantë nëse një e drejtë për dëmshpërblim, për dëme të shkaktuara që vijnë si rezultat i një regjistrimi të një informacioni të garantuar në ligj, duhet të ngrihet në pajtim me dispozitat e këtij ligji. Me miratimin e vendimit të regjistruesit nga kryeregjistruesi, ky i fundit cakton masën e dëmshpërblimit për dëmin e shkaktuar në lidhje me çështjen. Rregullat për llogaritjen e dëmshpërblimit në lidhje me dëmet e shkaktuara si rezultat i një regjistrimi të një informacioni jo të rregullt, mbi një pasuri të paluajtshme, përcaktohen me vendim të Bordit Drejtues. Draft-ligji i Ministrisë së Drejtësisë parashikon edhe korrigjimet për gabimet në regjistër dhe garantimin e informacionit. Sipas draft-ligjit, regjistruesi korrigjon gabimet materiale në certifikatë, kartelën e pasurisë së paluajtshme dhe hartën treguese të regjistrimit me kërkesë të pronarit në rastet e gabimeve ose mungesave që nuk prekin materialisht interesat e një pronari tjetër; kur paraqitet vendim i gjykatës që vërteton një fakt pronësie me anën e parashkrimit fitues; kur pas një rikontrolli del se një përmasë ose një sipërfaqe e treguar në kartelë ose në Hartën Treguese të Pasurive është e pasaktë. Në këtë rast, regjistruesi njofton më parë të gjithë personat e shënuar në regjistër, të cilët janë të interesuar ose që preken nga ky korrigjim i propozuar; me vërtetimin e ndryshimit të emrit ose adresës së një pronari dhe me kërkesën me shkrim të pronarit, regjistruesi regjistron ndryshimin në kartelë. Gjithashtu, edhe kur regjistruesi vëren se në certifikatë ka gabime materiale, lëshon certifikatë të re, pasi janë depozituar certifikatat e mëparshme të pronësisë. Për sa i përket garantimit të informacionit, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme garanton informacionin pas përfundimit të regjistrimit fillestar lidhur me: të drejtën e pronësisë dhe të drejtat reale të regjistruara, pasurinë e identifikuar si objekt i këtyre të drejtave, mbajtësin e kësaj të drejtë. Në të njëjtën kohë, duke iu referuar draft-ligjit, Zyra e Regjistrimit përjashtohet nga përgjegjësia për garantimin e informacionit në rastet e humbjes, kalimit apo transferimit të të drejtave të pronësisë në përputhje me zbatimin e legjislacionit shqiptar në fuqi për shpronësimet, interesin publik, si dhe të çdo legjislacioni të detyrueshëm që sjell efekte mbi pasurinë e paluajtshme. Të gjithë personat që do t’i drejtohen Zyrës së Pasurive të Paluajtshme, për çfarëdo shërbimi të printuar në letër ose edhe elektronik, janë të detyruar të paguajnë tarifa të caktuara. Sipas ligjit të ri për hipotekat, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, për lëshimin e certifikatave të pasurive të paluajtshme, qirave, kopjeve të vërtetuara, kontrolleve, formularëve të shtypur, informacioneve mbi gjendjen juridike të pasurive, si dhe për shërbime të tjera të ofruara nga hipoteka, bazuar në të dhënat e administruara në letër dhe/ose formë elektronike, paguhen tarifa dhe gjithashtu edhe kamatëvonesa. Regjistruesi është i diktuar nga draft-ligji të refuzojë veprimin derisa të paguhen tarifa dhe kamatëvonesa. Lista e shërbimeve sipas ligjit në fjalë, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave, me udhëzim të përbashkët, do të miratojnë tarifat e shërbimit sipas propozimeve të paraqitura nga Bordi Drejtues pas miratimit të draft-ligjit. Draft-ligji, gjithashtu parashikon edhe kundravajtjet për çdo deklarim ose veprim nё kundërshtim me ligjin; kur nuk pёrbёn vepёr penale, dёnohet me gjobё nga regjistruesi nga 5 000 deri nё 50 000 lekё.
Me kërkesë të çdo pale të interesuar, regjistruesi merr vendim të veçantë nëse një e drejtë për dëmshpërblim, për dëme të shkaktuara që vijnë si rezultat i një regjistrimi të një informacioni të garantuar në ligj, duhet të ngrihet në pajtim me dispozitat e këtij ligji.
Hipotekat, ja si mund të ketë publiku akses informacioni
Ndryshe nga siç ndodh aktualisht, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, i gjithë publiku mund të ketë akses informimi në këtë institucion. Sipas draft-ligjit në fjalë, personat kanë të drejtë të marrin të dhëna dhe kopje të dokumenteve që janë në regjistrat e pasurive të paluajtshme, kartela, në harta treguese, të regjistrimit, në dokumentacione të depozituara me kërkesën për regjistrim dhe në dokumentacionin që mbahet dhe administrohet nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas draft-ligjit në fjalë, shpërndarja e ekstrakteve të regjistrit kryhet duke garantuar sigurinë e sistemit, të të dhënave dhe standardet e parimet për mbrojtjen e të dhënave personale sipas legjislacionit në fuqi, nëpërmjet disa niveleve sigurie. Personave juridik/fizikë, vendas apo të huaj, u jepet kodi i hyrjes dhe e drejta e marrjes së ekstrakteve të të dhënave në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm nga regjistri elektronik, duke garantuar teknikisht pamundësinë e manipulimit të regjistrit elektronik nëpërmjet sistemit elektronik. Gjithashtu, personat juridik/fizikë, vendas apo të huaj, që kanë të drejtën për të pasur akses në sistemin elektronik. mund të marrin ekstrakte/dokumente elektronike pronësie në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi kanë marrë pëlqimin e subjekteve që figurojnë të regjistruar si pronarë të pasurisë së paluajtshme. Subjektet e tjera që nuk kanë të drejtë aksesi, kanë të drejtë të kërkojnë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme informacionin përkatës me postë elektronike ose të zakonshme, kundrejt plotësimit të kërkesave të këtij ligji.
Kryeregjistruesi verifikon çdo 24 orë nëse marrja e këtyre të dhënave nga subjektet është bërë në përputhje me ligjin.