Idrizi: Nuk duhet të ketë ndarje mes shqiptarëve
TIRANË Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi mbajti një leksion përpara studentëve të një universiteti privat, i ftuar në forumin e hapur "Diskutojmë censusin". Idrizi sqaroi se përse PDIU-ja vendosi që të ndalonte konceptin e vetëdeklarimit në census dhe të objektivizonte procesin nëpërmjet amendamenteve të saj, të cilat ndalojnë deklarimin e rremë të kombësisë në census. Idrizi theksoi se nuk duhet të ketë ndarje mes shqiptarëve, as për sa i përket etnisë, as fesë e as dialekteve. Ai shtoi se kërkesat për census me vetëdeklarim janë që në koncept të gabuara dhe se kemi të bëjmë me vetëdeklarim dhe jo vetëpërcaktim. "Mungon një koncept ligjor i qartë dhe objektiv i kombësisë. Ajo duhet të saktësohet vetëm në zyrën e gjendjes civile mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazë vetëshpalljesh momentale të frymëzuara nga emocionet apo nga shtrëngesat e tranzicionit”, - tha ai.