E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i pronave, qytetarët të paqartë edhe pas mbylljes së procesit

Qytetarët e Elbasanit kanë paraqitur ankesa të ndryshme lidhur me pronësinë, si mbivendosje pronash apo dokumente të njëjta pronësie për një pronë të caktuar

Elbasan-Mjaft qytetarë janë shprehur të paqartë për procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme. Ky është një projekt, i cili realisht ka përfunduar më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por që duket se nuk u shërbeu plotësisht qytetarëve, ndoshta edhe për shkak të mungesës së informacionit dhe njoftimeve. Shtetas të ndryshëm po përballen tashmë pikërisht me problemet që duhet të ishin zgjidhur para 30 dhjetorit. Ata kanë paraqitur ankesa të ndryshmet lidhur me pronësinë, si mbivendosje pronash, dokumente të njëjta pronësie për një pronë të caktuar e të tjera. Afati i afishimit të listës së pronave në regjistrimin fillestar sistematik tashmë ka përfunduar, por ankesat vazhdojnë. Të painformuar, ata iu drejtohen rajoneve për ndihmë, ndërkohë që drejtuesit e njësive administrative nuk dinë t’u japin një përgjigje. Regjistrimi Fillestar Sistematik i Pasurive të Paluajtshme ishte një projekt që u zbatua nën kontrollin e ZRPP-së dhe përfaqëson regjistrimin ligjor të pronave në ZRPP. Regjistrimi Fillestar përfshin krijimin e hartës treguese të regjistrimit dhe plotësimin e një kartele për çdo pronë, me një proces afishimi publik për 45 ditë, që konsiderohet si një proces i njoftimit dhe kontrollit publik. Gjatë 45 ditëve të afishimit publik, lista e pronave me të dhënat përkatëse dhe harta treguese e regjistrimit afishohen në Zyrën e Afishimit Publik, që ndodhet në një ambient brenda zonës kadastrale. "Ky moment është shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Pas këtij afati gjithçka do të kryhet përkundrejt pagesave", - shtojnë specialistët e Projektit të BB-së dhe ZQRPP-së. Në rast se ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së afishimit publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një fletë-ankesë në Zyrën e Afishimit Publik, ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi (qoftë edhe një shkronjë në emër) që mund të jetë vënë re. Brenda periudhës 45-ditore të afishimit duhet që sërish pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara, por kjo gjë nuk ka ndodhur sipas qytetarëve dhe zyrat sapo kanë mbyllur afatin nuk kanë më asnjë kontakt me qytetarët. Kështu, problemet me regjistrimin fillestar dhe përfundimtar me pronat duket se do të vazhdojnë për një kohë të gjatë. F.Salliu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›