Bashkia e Tiranës rikujton detyrimet
Taksat e qytetarëve të kryeqytetit
Bashkia e Tiranës rikujton qytetarët mbi detyrimet financiare që duhet të shlyejnë. Institucioni që drejton jetën e kryeqytetit, ka përpiluar një listë, ku evidentohen detyrimet vendore të kategorisë familjare, duke përcaktuar datat kur qytetarët duhet të shlyejnë detyrimet. Për këtë kategori, detyrimet vendore paguhen në 2 këste: kësti i parë paguhet brenda datës 30 prill, ndërsa kësti i dytë paguhet brenda datës 30 shtator.
Një ndër taksat që duhet paguar është edhe ajo mbi ndërtesën. Burimet nga Bashkia thonë se baza e kësaj takse është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Për ndërtesat e ndërtuara para vitit 1993 duhet paguar 10.5 lekë për metër katror, ndërsa për ndërtesat e pas vitit 1993, paguhet 21 lekë për metër katror.
Sipas burimeve, duke shumëzuar sipërfaqen në metër katror të banesës me nivelin e taksës, del detyrimi që duhet paguar.
Një tjetër detyrim që duhet paguar është edhe tarifa e pastrimit, së cilës i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë në territorin e Bashkisë Tiranë. Familjarët duhet të paguajnë 5 mijë lekë në vit.
Drejtoria e Përgjithshme e taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë ka detajuar një listë dokumentesh për të paguar detyrimet, në mënyrë që të pakënaqësitë dhe mungesën e informacionit.
Njësia bashkiake nr. 10, përfiton 8 projekte
nga buxheti i Bashkisë së Tiranës/Bashkia e Tiranës i ka kushtuar rëndësi të veçantë investimeve rrugore në buxhetin e vitit 2012.
Vetëm Njësia bashkiake nr 10 përfiton 8 projekte të rëndësishme që mbështeten nga ky buxhet. Kryesisht janë rrugë në të cilat ose nuk është investuar asnjëherë ose investimet kanë mbuluar vetëm disa pjesë të këtyre rrugëve.
Më konkretisht, në Njësinë Bashkiake numër 10 e cila është një njësi me vlera historike dhe ndër më të vjetrat e Tiranës, për vitin 2012 janë parashikuar investime në rrugët “Bogdani”, “Islam Alla”, “Mujo Ulqinaku”, “Him Kolli” , “Gjon Muzaka”, Mine Peza, “Mihal Duri” dhe “Hajdar Hili”.
Në projekt - buxhet parashikohet rikonstruksioni i pjesshëm, shtesa anësore dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën “Avni Rustemi” dhe rikonstruksioni i plotë dhe shtesa e ambienteve në shkollën e mesme “Qemal Stafa.
Me filozofinë se qyteti fillon nga pragu i derës së çdo qytetari, në buxhetin e vitit 2012 i gjithë qyteti është trajtuar si një i tërë dhe jo pjesë – pjesë.
Në total janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane për të gjithë kryeqytetin pasi u verifikua në terren situata aktuale.
Këto janë vetëm disa nga investimet për zonat me probleme të akumuluara në vite në Njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet.