E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, draft për shtyrjen me 1 vit të afatit të AKKP-së

Jetëgjatësia e AKKP-së, e ngrirë më 31 dhjetor për shkak të skadimit të afatit, pritet të shtyhet të paktën me 1 vit nga qeveria. Drafti po përgatitet paralelisht me strategjinë e pronës, e cila do të jetë një bilanc i plotë i pronave të kthyera, të kompensuara dhe atyre shtetërore

Të gjithë ata qytetarë që kanë një dosje të hapur në AKKP apo kanë ende probleme të pazgjidhura me pronën, nuk duhet të shqetësohen për skadimin e afatit të kësaj agjencie. Qeveria po përgatit një draft të ri, përmes së cilit pritet të shtyhet me të paktën 1 vit jetëgjatësia e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Burime nga Ministria e Drejtësisë bënë me dije për MAPO-n se drafti është duke u përgatitur paralelisht me Strategjinë e Pronës, e cila synon të dalë me një bilanc përfundimtar mbi procesin e kthimit dhe kompensimit. Specialistët shpjegojnë se afati i AKKP-së do të shtyhet me siguri, sa kohë që në këtë institucion ndodhen mbi 5 mijë dosje të pashqyrtuara, por këtë herë, qeveria ka vendosur të bëjë një ndërhyrje përfundimtare në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave, i ndryshuar”, i cili përcaktonte 31 dhjetorin si afatin e fundit për mbylljen e gjithë procesit. E për të realizuar këtë, hartuesve të draftit u duhet të dinë me siguri se sa kohë nevojitet për të mbyllur njëherë e mirë çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave në vend.

Strategjia e pronave

Zyrtarët shpjegojnë se nga parashikimet e deritanishme, do të shtyhet të paktën me 1 vit afati i AKKP-së, por misioni i kësaj agjencie është tashmë i lidhur me strategjinë e pronës. Ky projekt, i cili po realizohet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Këshillin e Europës e që pritet të përfundojë në mars të këtij viti përfshin Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Si produkt përfundimtar, kjo Strategji parashikon të ketë hartën dixhitale të tokës, por edhe bilancin në tërësi mbi tokën që është kthyer fizikisht, atë që është kompensuar dhe pjesën që mbetet si tokë shtetërore. Ky projekt synon t’i japë zgjidhje njëherë e mirë çështjes së pronave në Shqipëri, të paktën inventarizimit të saj, por edhe të japë një panoramë të qartë mbi sa tokë është kthyer dhe kompensuar, sa është në proces legalizimi dhe regjistruar në hipotekë.

Dosjet e bllokuara

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që prej 31 dhjetorit po funksionon jashtë ligjit, ndërkohë që mbi 5 mijë kërkesa të paraqitura nga subjektet e shpronësuara me ligje të mëparshme mbeten ende pa përgjigje. Këtu hyjnë vetëm ajo pjesë e dosjeve, që kjo Agjenci për arsye të ndryshme nuk ka mundur t’i marrë dot në shqyrtim dhe të japë një përgjigje për njohjen pronës së pretenduar apo rrëzimin e kërkesës së subjektit përkatës. Megjithëse kjo përbën një numër të konsiderueshëm, mund të thuhet se Agjencia e ka pasur të pamundur të kryejë detyrën e saj dhe përfundimin e saj brenda afateve. Kjo pasi numri i dosjeve të patrajtuara nga agjencitë rajonale dhe të akumuluara në zyrat e Agjencisë Qendrore, vetëm dy vite më parë ishte më shumë se 8 mijë të tilla. Burime pranë Agjencisë kanë bërë me dije se në më shumë se një vit është bërë i mundur trajtimi i më shumë se 30 për qind të këtij numri, pra duke e zbritur totalin e dosjeve të pashqyrtuar në afro 5 mijë.

Ngërçi ligjor me 30 mijë dosjet me probleme

Përveç dosjeve të bllokuara në AKKP, një çështje që kërkon zgjidhje dhe që prej muajsh është bllokuar është edhe ajo e rivlerësimit të vendimeve të mëparshme të komisioneve apo agjencive rajonale, për të cilat ka pasur pretendime dhe dokumente shtesë për pronësinë e vërtetë të pronës së kërkuar. Kjo për shkak se Gjykata Kushtetuese, në dy vite rresht ka rrëzuar nismat e mazhorancës, e cila i jepte të drejtë AKKP-së që të rishihte vendimet e mëparshme të strukturave të saj të varësisë dhe të fshinte vendimet e tyre, në rast se vërtetohej e kundërta. Për këtë kategori, përfaqësuesit e mazhorancës gjatë diskutimeve në Kuvend kanë konfirmuar se bëhet fjalë për më shumë se 30 mijë dosje me probleme.

5000 Dosje janë ende të patrajtuara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

31 dhjetori Ishte afati i fundit ligjor për përfundimin e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave

30 000 Dosje të shqyrtuara konsiderohen si me probleme nga AKKP dhe që kërkohet të rishihen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›