Regjistrimi i pronës me sipërfaqe të papërcaktuar
Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Albania” publikon të plotë rregulloren e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”. Sipas kësaj rregulloreje, individët, familjet, personat juridikë, privatë ose shtetërorë, që zotërojnë dokumente me të cilat provojnë pronësinë mbi një pasuri të paluajtshme dhe kufijtë e saj, por nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e pasurisë, për regjistrimin e saj, ku për zonën kadastrale në të cilën ndodhet pasuria nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive, duhet t`i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim fillestar pronësie.
Regjistrimi
Pasuritë e paluajtshme që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen, të cilat ndodhen në zona kadastrale për të cilat në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi është duke u zhvilluar regjistrimi sistematik i pasurive, nuk mund të regjistrohen në një kartelë dhe hartë treguese regjistrimi, në emër të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre. Për pasuritë e paluajtshme që nuk e kanë të përcaktuar sipërfaqen në dokumentet ligjore të pronësisë dhe as sipas procedurës së përcaktuar në këtë vendim, të cilat ndodhen në zona kadastrale për të cilat regjistrimi sistematik i pasurive do të përfundojë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, regjistrimi në një kartelë dhe hartë treguese regjistrimi, në emër të pronarit, do të bëhet vetëm pasi të zhvillohet procedura e regjistrimit. Pasuritë e paluajtshme për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk rezulton të jetë marrë vendim nga regjistruesi për përcaktimin e sipërfaqes, edhe pse janë paraqitur deklaratat noteriale të kufitarëve, kur këto pasuri ndodhen të pozicionuara, gjeografikisht, në zona kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive, gjatë të cilit, sipërfaqja dhe pozicioni gjeografik i tyre është përcaktuar nga matjet në terren dhe pasuritë janë regjistruar në një kartelë dhe hartë treguese regjistrimi në emër të pronarit, do të vlerësohen se e kanë të përcaktuar sipërfaqen, pa qenë e nevojshme të zhvillohet procedurë regjistrimi fillestar.
Dokumentet
Ço person që dëshiron të regjistrojë pasurinë e tij dhe të përcaktojë sipërfaqen e saj, duhet të paraqesë pranë ZRPP-së këto dokumente: aktin e fitimit të pronësisë; një plan-vendosje apo genplan të pasurisë; deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare. Kërkesa për regjistrim fillestar pronësie, në rastin kur kërkuesi zotëron dokumente pronësie për truallin ose për truallin dhe objektin mbi këtë truall, duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme: dokumentin (aktin e fitimit të pronësisë), të regjistruar ose të paregjistruar në regjistrin hipotekor; deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet nga kërkuesi; plan-vendosjen/genplanin e pasurisë (i njëjtë me atë që u bashkëlidhet deklaratave noteriale apo konfirmimeve të entit shtetëror); dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë që pretendohet; mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime të tjera, nëse ka të tilla).
Kufizimet
Regjistrimi i pronës së kufizuar nga tokat shtetërore
Kur në kufi të pronës për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj. Deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar, i dhënë nga bashkia/njësia bashkiake apo komuna përkatëse, e cila është pronare apo administron pronën shtetërore, pavarësisht faktit nëse bashkia apo komuna është e regjistruar si pronare apo administratore e
pasurisë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastin kur pasuritë publike, kufitare me pasurinë për të cilën është paraqitur kërkesë për regjistrim, janë të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit, në emër të një enti tjetër shtetëror, të ndryshëm nga bashkia apo komuna, konfirmimi duhet të bëhet nga titullari apo personi i autorizuar nga ky ent. Kur në kufi të pronës janë prona të individëve, persona, fizikë apo juridikë, privatë a shtetërorë, të cilët nuk e kanë të regjistruar pasurinë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, deklarata noteriale e pronarit kufitar do të zëvendësohet nga një deklaratë noteriale, e bërë nga këta persona, në cilësinë e poseduesit të pasurive kufitare. Në këtë
rast, përveç deklaratës noteriale të poseduesit të pasurisë kufitare, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme procedon edhe me shpalljen e genplanit apo të plan-vendosjes së pasurisë.
Ankesat
Në rast se pronari kufitar, brenda afatit prej 45 ditësh, paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin. Në rast se nga pronari kufitar nuk paraqitet në ZRPP, brenda afatit prej 45 ditësh, ankesë apo pretendim për kufijtë e pasurisë për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi, brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të afatit të mësipërm, harton, në dy kopje, një procesverbal, i cili përmban një përshkrim të procedurave të kryera. Një kopje e procesverbalit depozitohet në arkivin e ZRPP-së, ndërsa kopja tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës. Kur pronën kufitare e kanë në pronësi dy a më shumë bashkëpronarë, kërkuesi paraqet deklaratat noteriale të bashkëpronarëve, për të cilët është e mundur marrja e deklaratës noteriale. Brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, regjistruesi merr vendim për regjistrimin ose refuzimin e regjistrimit të pasurisë.
28 Dhjetor 2010