E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista me 127 pronarët që kompensohen



Anilejda Shëmbitraku

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave AKKP ka bërë publik 127 pronarët e zonave informate që marrin këstin e parë të kompensimit. AKKP bën të ditur për media se ka përfunduar raundi i dytë i procesit të shqyrtimit të kërkesave të subjekteve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë këstin e parë të kompensimit apo shpërblimit në masën prej 21,89% të shumës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Procesi
Drejtori i Përgjithshëm i AKKP- s Elvis Cefa ka deklaruar se “Ky proces, ashtu sikurse edhe raundi i parë, është bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” të ndryshuar dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar”.
Në përfundim të këtij procesi, janë miratuar 127 kërkesa për tërheqjen e kompensimit/shpronësimit në të gjithë vendin. Cefa sqaron se “Nga ky proces përfitojnë një numër prej rreth 400 pronarësh/bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 320 888 223,85 (treqind e njëzet milion e tetëqind e tetëdhjetë e tetë e dyqind e njëzet e tre pikë tetëdhjetë e pesë) lek. Vlerat përkatëse për secilin përfitues do te jenë të gatëshme në llogaritë bankare të depozituara në AKKP, duke filluar nga data 28 dhjetor 2010. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve rezultojnë në listat përfituese të shpronësimit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, të paraqiten në çdo kohë pranë zyrave të AKKP- s për dorëzimin e kërkesës për tërheqjen e vlerës së kompensimit.

Verifikimi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bashkëpunon me Agjencinë e Legalizimit dhe zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese. Sipas vendimit të miratuar, grupi i punës verifikon legjitimin e kërkuesit për çdo kërkesë për kompensim. Kontrollon dokumentacionin e paraqitur nga subjekti përfitues. Gjithashtu grupi i punës konfirmon të dhëna të tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse. Grupi i punës harton relacionin, në të cilin i propozon drejtorit të Përgjithshëm kalimin e shumës në numrin e llogarisë bankare përkatëse. Si dhe në fund përpilon listën e subjekteve që kompensohen. Po sipas vendimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, në përfundim të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit. Gjithashtu urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen si dhe njofton kërkuesin, që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Dokumentacioni
Ja çfarë duhet të përmbaj dosja

Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:

1- Kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM të mësipërme, të plotësuar sipas rubrikave.
2- Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur)
3- Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme;
4- Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;
5- Fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit;
6- Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›