Regjistrimi i trojeve BB vlereson progresin

Pasuritë e paluajtshme do të zbardhen shumë shpejt në një regjistër informues, i cili do të jetë zgjidhja e shumë konflikteve civile, por në të njëjtën kohë do të shtojë dozat e besimit tek investitorët të huaj. Bëhet fjalë për procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, me të cilin po punon aktualisht Zyra e Regjistrimit. Ekspertë të lartë të Bankës Botërore, e cila mbikëqyr prej disa vitesh këtë proces, tregojnë se në Shqipëri janë bërë hapa pozitive duke parashikuar mbylljen e projektit brenda qershorit të vitit 2013.
Gavin Adlington, specialisti lider për programin e regjisitrmit të tokave, për Europën dhe rajonin e Azisë Qendrore, tregon për “ABC News” se në muajt e fundit është bërë shumë progres me verifikimin dhe afishimin e pasurive të paluajtshme. Sipas tij, mbetet problematikë çështja e dokumenteve të duhura në rastin e regjistrimit të një prone.
Sipas specialistit të Bankës Botërore, ky informacion i saktë dhe i sigurtë do të sjellë benefite të shumta si për personat që duan të kryejnë transaksione lirshëm me pronën e tyre, ashtu edhe për besimin e investitorëve të rinj.
Ndërkaq, Kryeregjistruesi, Arben Qirjako kofirmon se aktualisht Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme po punon intensisvisht për konsolidimin i një regjistri me 455 mijë prona që nuk kanë qenë të regjistruara. Sipas tij, qëllimi është regjistrimi i të gjitha trojeve në zonat urbane brenda vitit 2012.
Pjesë e këtij procesi është edhe regjistrimi i rreth 60 mijë pronave në zonën e bregdetit. Sipas kryeregjistruesit Qirjako brenda viti që vjen qytetarët do të kenë informacione të qarta dhe të garantuara mbi çdo pronë që zotërojnë apo që interesohen.
Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme pritet të mbyllet dhe të jetë operativ brenda qershorit të vitit 2013, një objektiv ky i vendosur nga qeveria shqiptare. Aktualisht Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka përfunduar punën e verifikimit në terren dhe është në fazën e përpunimit të të dhënave dhe afishimit të informacionit për çdo territor në rang vendi.