E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lideret boterore ne Samitin e G20

Liderët e G20 të mbledhur në Meksikë janë ndalur në diskutimet e tyre rreth krizës në Eurozonë dhe mënyrat për daljen më të shpejtë prej saj. Kryefjala e samitit ka qenë Greqia e pas zgjedhjeve elektorale. Duke folur me gazetarët kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se qeveria e re greke duhet të qëndrojë tek angazhimet e saj të marra në marrëveshje me trojkën dhe kreditorët ndërkombëtarë. 
“Ne do të diskutojmë me Greqinë nëse ajo mund të marrë pjesë në programet tona të rritjes në kuadër të programit tonë të projektuar për të gjithë BE. Por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me kushtet e memorandumit të akorduar dhe votuar në parlamentin gjerman.”, vlerësoi Merkel.
Nga ana e tij, Rompuy u shpreh se “Greqia u përfshi në programe reformash të shumta edhe nga më drastikët në nivelin e pagave dhe pensioneve dhe popullit ju kërkua se edhe nëse nuk kanë të bëjnë me këto sakrifica, nëse duan të qëndrojnë në Eurozonë dhe BE, dhe pas debatesh të paprecedentë dhe dy raunde zgjedhjesh, ata u dhanë besimin atyre partive që kanë bërë një zgjedhje të qartë për Europën”.
 Gjithashtu, Barroso deklaroi se “unë pres që udhëheqësit e G20   të mbështesin dhe të shprehin besimin e tyre në hapat e ndërmarrë tashmë nga Evropa dhe në të vërtetë për hapat që ne tani jemi të gatshëm për të marrë shumë shpejt. Por problemet nuk janë vetëm evropiane, ata janë globale. Si Udhëheqësit e G20, ashtu edhe ne të gjithë kemi nevojë për ambicie  dhe kontribute të  përgjegjshme për të hequr pengesat për rritjen dhe për të trajtuar nivelet e papranueshme të papunësisë së lartë që po dëmtojnë strukturën tonë sociale dhe dinjitetin njerëzor”.
Në një bashkëbisedim me presidentin meksikan Felipe Calderon presidenti amerikan Barack Obama është shprehur se rezultati i zgjedhjeve të Greqisë  tregoi një perspektivë pozitive për të ardhmen ekonomike të vendit. 
“Mendoj se zgjedhjet në Greqi treguan një perspektivë pozitive jo vetëm për të dhe formimin e qeverisë së saj por edhe për bashkëpunimin në mënyrë konstruktiv me partnerët e tyre ndërkombëtar, në mënyrë që të vazhdojë në rrugën e reformave që do ta çojë popullin grek drejt suksesit për shpëtim. Ne jemi duke punuar me partnerët tanë europianë dhe me të gjitha vendet për të siguruar se ne jemi duke kontribuar për rritjen ekonomike, stabilizimin dhe kthimin e besimit në tregje, por më e rëndësishmja jemi duke u dhënë njerëzve tanë mundësinë se nëse ata punojnë shumë do të kenë sukses”, nënvizoi ai. 
Një tjetër çështje ishte edhe situata në Spanjë. Ministri i financave De Guindos ka deklaruar se qeveria është e bindur se situata aktuale që po vuajnë sot tregjet ndëshkon Spanjën  dhe nuk i përgjigjet përpjekjeve dhe potencialit të ekonomisë spanjolle dhe kjo sipas tij duhet të kuptohet në ditët në vijim.
"Pavarësisht nga vështirësitë, pavarësisht nga gjobat mbi primet e rrezikut, ekonomia spanjolle është një ekonomi që ka kapacitet të rritet, ajo është një ekonomi e cila ka korrigjuar pabarazitë e saj në fushën e shërbimeve bankare dhe pasurive të patundshme dhe në të gjitha fushat që na kanë sjellë në këtë situatë të tanishme. Kjo,  shumë shpejt   do të të na japë rezultate në aspektin e perceptimit nga ana e tregjeve”, deklaroi ministri. 
Në samitin e G20-tës është njoftuar gjithashtu se Meksika është bërë një anëtare e aleancës tregtare rajonale.
Por gjëja më e rëndësishme në këtë moment të recesionit në disa vende të botës dhe në një ngadalësim në disa të tjera, Partneriteti Trans pacifik përbën zonën më të madhe me potencial të rritjes në një dhjetëvjeçar. Ky është një lajm i mirë për meksikanët pasi do të shtojë vendet e punës dhe do të nxisë rritjen për dekadën e ardhshme. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›