Regjistrimi, kusht zhvillimi i testeve me zgjedhje
Universitetet private
Pezullim licence për institucionet që shkelin urdhrin e Tafajt
Shpresa Mezini
Për tu regjistruar në një nga universitetet private në vend maturantët do të duhet ti nënshtrohen të gjitha provimeve të maturës. Kështu, nëse gjatë viteve të mëparshme, nxënësit që kanë dëshiruar të regjistrohen në universitetet private, nuk i kanë zhvilluar provimet me zgjedhje, mësohet se sivjet praktika do të ndryshojë. Të paktën kështu parashikohet në udhëzimin më të fundit të firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, sipas të cilit, privatët në vend nuk do të pranojnë asnjë kandidat që kërkon të regjistrohet në këto institucione, pa zhvilluar testet me zgjedhje. Të gjithë të rinjtë, të cilët deri më tani nuk i janë nënshtruar provimeve me zgjedhje, pasi në universitetet private i kanë pasur dyert e hapura, ndonëse në mungesë të rezultateve të dy testeve, sivjet do të ndëshkohen.
Kjo, për shkak se duke nisur nga ky vit akademik e në vazhdim, kriteri kryesor për tu regjistruar në universitetet private do të jetë i njëjtë si për shtetin, zhvillimi i të gjitha provimeve të maturës shtetërore.
Ky kusht do të jetë i njëjtë edhe për ata që e kanë përfunduar arsimin e mesëm në vitet e kaluara. Ata mund të jenë të diplomuarit e këtij viti shkollor, ata mund të jenë të diplomuarit e viteve të kaluara, ata mund të kenë një dëftesë pjekurie, por si kusht është që bashkë me dëftesën e pjekurisë të jenë të pajisur edhe me një certifikatë që jepet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për vlefshmërinë e provimeve me zgjedhje që ata kanë dhënë në provimin e maturës shtetërore, tha drejtori i Arsimit Privat në MASH, Alfred Mullai. Sipas tij, verifikimi i dokumenteve të kandidatëve që shkojnë për regjistrim do të jetë i imtësishëm, me qëllim numërimin e të gjitha elementeve të nevojshme për të kryer këtë veprim, ku për herë të parë, sivjet do të listohen edhe notat e marra në dy testet me zgjedhje. Sipas Mullait, në rast se vërehen nxënës, të cilët rezultojnë se nuk i kanë zhvilluar testet me zgjedhje, do të ndërpritet procesi i regjistrimit, ndëshkim që i përjashton ata si nga universitetet shtetërore, edhe nga ato private.
Monitorimi fillon pikërisht nga regjistrimet dhe nga regjistri bazë ose i ashtuquajtur amza dhe aty çdo student i regjistruar ka dosjen e tij. Kusht është që kjo dosje të jetë e plotë, në mënyrë që të ndiqen procedurat e tjera për regjistrimin e tij, theksoi Mullai. Sipas tij, masa penalizuese nuk do të merren vetëm kundrejt nxënësve, të cilët do të humbasin të drejtën e studimit, por edhe ndaj universiteteve private. Kështu, mësohet se në rast se do të regjistrohen nxënës që nuk figurojnë të kenë zhvilluar të gjitha provimet e maturës, për shkelësit masat do të jenë edhe më të rrepta, deri në pezullimin e licencës për të ushtruar aktivitetin.
Ndër të tjera, kreu i arsimit të lartë privat në MASH shtoi se si çdo vit tjetër, edhe sivjet, ky institucion ka ngritur grupet e punës, të cilat po merren me monitorimin e këtyre institucioneve.
Monitorimi i universiteteve private nga strukturat e MASH bëhet edhe për sa i përket stafit pedagogjik dhe infrastrukturës në ambiente. Autoritetet e MASH-it sqarojnë se të dhënat tregojnë se deri më tani, këto institucione i plotësojnë standardet. Aktualisht në vend operojnë rreth 46 institucione të arsimit të lartë privat.
Regjistrimi, kusht zhvillimi i testeve me zgjedhje burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip