E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi paraprak - kusht për të marrë statusin e studentit

05/08/2011   Si do kontrollohen preferencat për fituesit

Pas regjistrimeve të para lista e fituesve do të zgjerohet më tej si pasojë e plotësimit të vendeve bosh

Për të mos rrezikuar ndjekjen e studimeve të larta në fakultete publike, kandidatët duhet të tregojnë kujdes të veçantë në respektimin e afateve të përcaktuara për procedurën e regjistrimeve. Pranimet në universitete edhe për këtë vit do të realizohen në dy faza, ku fillimisht do të shpallen listat paraprake të fituesve e më pas ato përfundimtare. Megjithatë, në udhëzimin e hartuar nga ekspertët e Arsimit konfirmohet se regjistrimi paraprak është kushti themelor që do t’i lejojë kandidatët e shpallur fitues jo vetëm të vijojnë studimet në degën e përzgjedhur, por edhe të ngjiten në preferenca më të larta, për rastet kur do të mbeten vende bosh pas fazës së parë të regjistrimeve.

Penalizmi

Konkretisht, ekspertët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se, nëse nuk kryhet regjistrimi paraprak sipas fateve të përcaktuara, kandidati i shpallur fitues humbet të drejtën për shkollën e lartë gjatë këtij viti akademik. Po ashtu kandidatët që do të kryejnë regjistrimin paraprak, teksa janë shpallur në fitues në preferencat e dyta, të treta e etj., si rrjedhojë e vendeve që mbeten bosh pas mbylljes së regjistrimeve paraprake mund të s’postohen në një preferencë më të lartë, sipas listimit të degëve që kanë bërë gjatë plotësimit të formularit A-2. Pak kohë më parë është shpallur udhëzimi mbi procedurat dhe afatet që do të ndiqen për regjistrimet e fituesve në universitete. Lista paraprake e fituesve në 289 programet studimore publike që janë miratuar për vitin akademik 2011–2012 do të bëhet publike më datën 11 shtator. Fituesit do të kenë gjashtë ditë kohë në dispozicion për të bërë regjistrimin paraprak, duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve të kërkuara pranë sekretarive mësimore të degës ku janë shpallur fitues.

Kushtet për fituesit

Për të kryer këtë procedurë ata do të duhet të respektojnë afatet nga mëngjesit të 12 shtatorit deri në mbrëmjen e 18 shtatorit. Pas kësaj date ata që nuk kanë bërë regjistrimin paraprak nuk do të kenë mundësi që të marrin statusin e studentit, edhe nëse rezultojnë të jenë në listën e fituesve. Me mbylljen e këtyre regjistrimeve bëhet edhe riplotësimi i vendeve të mbetura bosh. Duke iu referuar praktikave të viteve të shkuara, shumë nga kandidatët që janë shpallur fitues në universitet publike janë larguar jashtë vendit për të vijuar studimet e larta. Këto vende, të cilat pritet të shkojnë në rreth 3000 apo më shumë do të plotësohen me të tjerë kandidatë, që ndodhen më pranë vijës së hequr për fituesit në çdo program studimi. Po gjatë kësaj kohe do të bëhet edhe ngjitja në preferenca për të gjithë kandidatët që janë shpallur fitues në një preferencë më të ulët, por që për shkak të largimeve krijohen vendet e duhura për t’i pranuar ata në degët që i kanë renditur më lartë në formularin e preferencave. Më 25 shtator do të bëhet publike dhe lista përfundimtare e fituesve të pranuar në çdo fakultete sipas kuotave të miratuara nga qeveria për këtë vit akademik. Për kandidatët që janë ndryshuar programet e studimit, krahasuar me ato të shpallura në fazën paraprake bëhet regjistrimi përfundimtar. Për të zyrtarizuar këtë procedurë kandidatët duhet të paraqiten në sekretaritë mësimore duke nisur nga data 26 shtator, për të përfunduar në mbrëmjen e 30 shtatorit. Gara për pranimet në universitete për këtë vit pritet që të jetë tepër e ashpër për shkak të fluksit të lartë të kërkesave për studime si dhe numrit të kufizuar të kuotave të aprovuara për çdo degë. Edhe për këtë vit Universiteti i Tiranës, me tete fakultetet e tij përbërëse, rezulton të ketë fluksin më të lartë të kërkesave për vijimin e studimeve të larta për vitin e ri akademik.

Pranimet, 23843 të drejta studimi

për sistemin e ditës

Rreth 23843 kandidatë pritet të vijojnë studimet e larta në auditorët e fakulteteve publike gjatë vitit të ri akademik. Kaq është numri i kuotave të aprovuara nga qeveria për të 289 programet studimore që do të ofrohen nga universitete për vitin akademik 2011–2012. Pjesa dërrmuese e kuotave i përkasin Universitetit të Tiranës, programet e të cilit rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat nga maturantët që duan të vijojnë studimet e larta. Krahas rritjes së kuotave të pranimit për sistemin e ditës ndryshime kanë pësuar edhe një pjesë e tarifave të shkollimit në degë të caktuara.

Zgjedhja e fituesve

Një kandidat mund ta shohë veten brenda listës së fituesve në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program studimi, që i takon preferencës së tij më të lartë në këtë grup preferencash. “Kontrollohet preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni për regjistrim në universitet. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën 10. Shpalleni fitues në preferencën ku keni grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë). Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera.” Ndonëse nuk janë publikuar ende të dhënat zyrtare, për këtë vit në garën e konkurrimit janë përfshirë rreth 40 mijë kandidatë. Ndërkohë këtë të drejtë në një fazë të dytë, kur të nisë plotësimi i formularit A-3, do ta kenë edhe rreth 6 mijë maturantët mbetës.

Kushtet për statusin e studentit

Sipas udhëzimit të hartuar nga specialistët e Ministrisë së Arsimit, mbyllja e procedurës së regjistrimit paraprak është vendimtare në marrjen e statusit të studentit. Konkretisht, rregullorja thekson se kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim për çfarëdo lloj arsyeje, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve, e cila merr formën e saj finale më 24 shtator 2011.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›