E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët e Krimeve të Rënda deklarojnë vetëm pagat

05/08/2011  Inspektorati i Deklarimit të Pasurive publikon pasuritë e prokurorëve të krimeve të rënda

Pagat e honoraret e prokurorëve të siguruara gjatë vitit të kaluar

Inspektorati i Deklarimit të Pasurive publikon pasuritë e prokurorëve të krimeve të rënda të regjistruara deri më 31 dhjetor 2010. Sa i përket pasurisë së trupës së prokurorëve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nuk bien në sy pasuri të mëdha, pasi baza e të ardhurave të tyre mbetet paga dhe shpërblimet në institucionet ku ata punojnë.

Pasuria e drejtuesve të Prokurorisë

Në deklaratën e tij të pasurisë për vitin e kaluar drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Olsian Çela thekson se të ardhurat e tij janë vetëm kursimet në lekë të përfituara nga paga vjetore, pjesëmarrja në mbledhjet e Këshillit të Prokurorisë, puna si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë. Konkretisht kryeprokurori i Krimeve të Rënda deklaron se nga paga e tij neto si drejtues prokurorie për 2010-n ka përfituar rreth 2 milionë lekë të reja (1.940.000 lekë). Ndërsa nga pagesa e punës së tij si pedagog i jashtëm në një fakultet provat Çela ka përfituar 43.200 lekë të reja. Nga puna si ekspert në Shkollën e Magjistraturës ai ka përfituar gjatë vitit të kaluar 36.699 lekë të reja. Nga pagesa për pjesëmarrjet në mbledhjet e Këshillit të Prokurorisë kryeprokurori i Krimeve të Rënda ka përfituar 115 mijë lekë të reja gjatë 2010-s.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Henrik Ligori deklaron pakësim të gjendjes cash të pasurisë së tij. Për efekt të pagesës së kredisë së marrë nga bashkëshortja e tij Shegushe Ligore, deputete e Partisë Socialiste, Henrik Ligori thekson në deklaratën e tij se në krahasim me një vit më parë pasuria e tij është pakësuar me 52 mijë euro. Nga ana tjetër, Ligori deklaron se ka një rritje të gjendjes cash në lekë me 1 milionë lekë të reja, që janë kursime nga të ardhurat e tij. Si zëvendësdrejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë,Henrik Ligori deklaron se gjatë 2010-s të ardhurat e tij kanë qenë rreth 1.7 milionë lekë, të përfituara nga paga dhe shpërblimet. Si pedagog i jashtëm në një universitet privat në kryeqytet numri dy i Krimeve të Rënda nga honoraret ka siguruar 117 lekë të reja të ardhura gjatë vitit të kaluar. Ndërsa si pedagog i jashtëm dhe ekspert i trajnimit vazhdues në Shkollën e Magjistraturës Ligori ka siguruar afro 92 mijë lekë të reja për 2010-n. Gjithashtu në pasurinë e tij Henrik Ligori deklaron dhe rreth 1.9 milion lekë të reja të ardhura nga paga, dieta dhe shpërblime të bashkëshortes së tij si deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Erviola Morçka

Prokurorja në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka deklaruar pranë ILDKP-së të ardhurat e saj për vitin 2010. Në deklaratën e saj Morçka thekson se vitin e kaluar ajo ka siguruar nga kontrata e saj e shitblerjes 4.845.000 lekë të reja nga trualli i saj tokë-arë me sipërfaqe 285 m2 në Shkozë të Tiranës. Ndërsa për vitin 2010 Erviola Morçka ka kursyer 500 mijë lekë të reja nga të ardhurat e saj të siguruara nga pagat dhe shpërblimet nga puna si prokurore dhe si eksperte në Shkollën e Magjistraturës. Ajo thekson se ka dhe rreth 4,4 milionë lekë të reja për të shlyer kredinë bankare prej 5 milionë lekësh të marrë në gusht të 2006-s në “Raiffeisen Bank”. Kësti mujor i kredisë së tërhequr nga Morçka është 24 mijë lekë për 300 muaj, me interes vjetor 3 për qind.

Elizabeta Imeraj

Prokurorja e Krimeve të Rënda në deklaratën e saj të pasurisë për vitin 2010 të publikuar nga ILDKP-ja thekson se nga paga e saj si prokurore ka siguruar rreth 1.4 milion lekë të ardhura. Nga të ardhurat e bashkëshortit të saj si avokat ajo deklaron se ka siguruar gjatë vitit të kaluar 1.9 milion lekë të reja. Prokurorja Imeraj në deklaratën e saj deklaron se ka dhe një shumë prej 79 mijë eurosh për të shlyer kredinë prej 100 mijë euro të marrë në BKT nga bashkëshorti i saj në vitin 2008. Deri më 31 dhjetor 2010 Imeraj deklaron se ka shlyer 14.760 euro nga kredia 10-vjeçare, ku kësti i saj mujor, sipas kontratës me BKT-në, është 1230 euro. Për shlyerjen e saj kontribuojnë edhe vëllezërit e bashkëshortit të prokurores, të cilët së bashku kanë blerë një apartament.

Gentian Trenova Prokurori në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë në deklaratën e tij të pasurisë thekson se gjatë vitit 2010 nga të ardhurat e tij nga paga dhe shpërblimet në punë ka përfituar rreth 1.5 milion lekë të reja. Në dhjetor të vitit të kaluar Trenova ka hapur një depozitë kursimi në bankën “Credins”, ku ka depozituar 500 mijë lekë të reja. Sa u përket detyrimeve për t’u shlyer, Gentian trenova deklaron se gjatë vitit 2010 ai ka paguar rreth 2800 euro për kredinë e marrë në bankën “Alfa” për blerjen e shtëpisë në Tiranë, ku thekson se kredia është 15-vjeçare, me një këst mujor 232 euro. Eugen Beçi Edhe prokurori Eugen Beçi deklaron se gjatë vitit 2010 ka kursyer 500 mijë lekë të reja. Këto kursime ai thekson se janë nga pagat për 2010-n, nga të cilat 400 mijë lekë të reja i ka të regjistruara në llogarinë e tij bankare në bankën “Credins” dhe 100 mijë lekë i ka të depozituara në emër të bashkëshortes së tij në “Tirana Bank”. Të ardhurat e Beçit nga puna e tij si prokuror, gatishmëria dhe shpërblimet për vitin i kaluar kanë qenë 1.350.036 lekë të reja. Ndërsa të ardhurat e bashkëshortes janë rreth 600 mijë lekë nga paga e saj si nëpunëse në Bashkinë e Tiranës. Adnan Xholi Prokurori Xholi thekson në deklaratën e pasurisë për vitin 2010 se deri më datën 31 dhjetor ka kursyer nga shitja e autoveturës tip “Mercedes-Benz” 8500 euro. Ndërsa nga pagat e vitit 2010 ai së bashku me të shoqen kanë kursyer 430 mijë lekë të reja, ku llogaritë e tyre ndodhen në bankën “Credins”. Nga të ardhurat e tij gjatë vitit të kaluar Xholi ka siguruar rreth 1.5 milion lekë nga pagat, gatishmëria dhe shpërblimet e marra si prokuror. Ndërsa nga mësimdhënia si pedagog i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës ai ka përfituar 13 mijë lekë të reja. Kurse bashkëshorte e tij ka siguruar 540 mijë lekë të reja të ardhura gjatë vitit 2010. Xhevat Hana Prokurori i Krimeve të Rënda në deklaratën e tij të pasurisë të publikuar nga ILDKP-ja thekson se të ardhurat për vitin 2010 kanë qenë rreth 1.4 milion lekë të siguruara nga paga e tij si prokuror. Të ardhurat nga paga e vajzës së tij Juliana Hana si specialiste në Prokurorinë e Përgjithshme për 2010-n kanë qenë 638.594 lekë të reja. Ndërsa vajza tjetër, Albana Hana, nga puna e saj si specialiste në Ministrinë e Integrimit ka siguruar 159.648 lekë të reja. Gjithashtu në deklaratën e tij për vitin 2010 prokurori Hana thekson se më 13.01.2010 ka nënshkruar një marrëveshje huaje në llogari rrjedhëse (overdraft) me interes 16 për qind. Ardian Nezha Prokurori Nezha në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2010 thekson se nga paga, shpërblimet dhe dietat si prokuror i Krimeve të Rënda ka kursyer 600 mijë lekë të reja në bankën “Credins”. Ndërsa nga paga e bashkëshortes së tij, gjendja e llogarisë së saj në bankën “Raiffeisen” deri më 31.12.2010 ka qenë 180 mijë lekë të reja. Nga paga e tij prokurori Nezha ka siguruar rreth 1.7 milion lekë të reja, ndërsa bashkëshortja e tij nga paga si inspektore pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive Paluajtshme ka siguruar 555.183 lekë të reja. Ndërsa shuma e paguar nga prokurori Nezha për arsimimin e djalit dhe të vajzës së tij gjatë vitit të kaluar ka qenë 160 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›