E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi, qeveria fond shtesë për INSTAT-in

19/08/2011  Fondi 800 milionë lekësh për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit

“Të gjitha komentet kundër këtij akti janë për shkak të mandateve që po u bien”

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Institutin e Statistikave, për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit të popullsisë dhe banesave. Në vendimin e saj, qeveria miratoi që në buxhetin e 2011-ës të parashikuar për INSTAT-in, të shtohet dhe një fond me shumën 47 lekë të reja, të cilat do të nevojiten për pagat e 15 mijë personave, të cilët po punojnë për realizimin në kohë të zbatimit të këtij ligji. Gjithashtu, INSTAT-it për shërbime operative do t’i vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare dhe një fond shtesë prej 31 milionë lekësh të reja. Fondi, i cili do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, do t’i nevojitet Institutit të Statistikave për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. “Në regjistrat dhe në database e këtij vendi duhet të ekzistojë realiteti shqiptar i vitit 2011”, – tha Berisha. Ndërsa, duke iu përgjigjur komenteve kundërshtuese ndaj këtij procesi, kreu i mazhorancës theksoi se “Të gjitha komentet që bëhen kundër këtij akti janë shprehje e një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre, sepse për shkak të mandateve që u bien, besojnë se në këtë mënyrë do të mund të kacavirren në kurriz të tyre. E vetmja gjë që qëndron se ky grup apatridësh, sepse këta që vishen për faqe të zezë janë apatridë, nuk kanë asnjë preokupim tjetër, vetëm mandatkëputjet e tyre, ç’ka tregon se i kanë pasur tërësisht të pamerituara, të turpshme dhe nxjerrin nga labirintet e skëterrës psikologjike të njeriut formulime e dokrra, për të intimiduar pakicat”, – u shpreh Berisha, duke lënë të kuptohej se akuzat e tij shigjetonin “Aleancën Kuqezi” dhe drejtuesin e saj, Kreshnik Spahiu, i cili është shprehur hapur kundër këtij regjistrimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›