E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha bën batuta

Kod Zgjedhor jo si vendimi i qeverisë për shitjen e fishekëve. Nga PD-ja na kanë thënë që kryeministri ska vullnet

Socialisti Fatmir Xhafaj i cilësoi si të pavërteta akuzat e djeshme të kryeministrit Berisha se PS nuk ka vullnet për realizimin e Kodit Zgjedhor. Në një prononcim për “Korrierin”, sekretari i Çështjeve Ligjore në PS deklaroi se është mazhoranca, ajo që nuk ka treguar vullnet për hartimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa socialistët prej kohësh presin përgjigjen e tyre. “U bënë dy javë që PS-ja ka kërkuar publikisht e në mënyrë të përsëritur ngritjen e komisionit ad-hoc parlamentar për Kodin Zgjedhor, por është mazhoranca ajo që nuk vepron. Kryeministri sa lodhet me citatet e Leninit, më mirë të urdhërojë përfaqësuesit e tij në Kuvend, që të fusin këtë çështje në rend dite”, - deklaroi Xhafaj. Duke komentuar deklaratën e kryeministrit, se është opozita ajo që është bërë pengesë për hartimin e Kodit, ish-ministri i Drejtësisë sqaron se Berisha ose nuk e di se çfarë ka ndodhur gjatë kohës që nuk ka qenë në Shqipëri, ose me vullnet të plotë mashtron për të justifikuar faktin, që në mungesë të tij nuk bëhet asgjë nga PD-ja. Xhafaj sqaron se Partia Socialiste ka kërkuar tashmë ngrirjen e komisionit parlamentar për hartimin e kodit, e po ashtu ka gati propozimet e saj, ndërsa mazhoranca nuk ka reaguar konkretisht ndaj propozimeve të PS-së. Ai shtron edhe një tjetër shqetësim, se ende nga ana e PD-së nuk ka një negociator, ndërsa vetë demokratët sipas tij, kanë deklaruar se është po Berisha, që po e pengon procesin. “Ne e kemi bërë të qartë se kush është interlokutori ynë, ndërsa ata jo, sepse nuk ishte ai. Për të mos thënë që disa prej tyre na kanë treguar që s’ka vullnet kryeministri që ta mbyllë çështjen e Kodit Zgjedhor brenda këtij sesioni. Shpresoj që kryeministri, që sapo është kthyer nga vakanca njëjavore, të mund të demonstrojë vullnet real, në mënyrë që të mundësojë hapjen e këtij procesi në procedura normale parlamentare dhe votim brenda këtij sesioni, që do të thotë brenda korrikut të ndryshojë ligji i ri zgjedhor”, - deklaroi Xhafaj. Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS shton se vullneti për të miratuar kodin nga ana e PS-së është maksimal, me apo pa ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar. Në krahun tjetër ai u kthen përgjigje edhe komenteve që janë bërë për hartimin e draftit me propozimet e PS-së. “Kodi Zgjedhor është një punë shumë e rëndësishme, që kërkon angazhim e jo batuta. Kodi zgjedhor nuk mund t’i ngjajë vendimit të qeverisë për shitjen e fishekëve. Ndaj e kemi marrë seriozisht këtë punë, që zgjedhjet e ardhshme të mos të jenë “Gërdeci elektoral” i kryeministrit në largim”,  tha Xhafaj, që është në krye të grupit të ekspertëve që kanë punuar për hartimin e propozimeve të PS-së. Ai i kërkoi mazhorancës ta marrë seriozisht këtë punë e me më shumë përgjegjshmëri, sikundër i kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët. Xhafaj shtoi se socialistët kanë mbi dy javë që kërkojnë përgjigje, ndërsa nga mazhoranca nuk ka pasur asnjë reagim, ndërsa e cilësoi si mashtrim të radhës deklaratën e kryeministrit. Sipas, tij, mazhoranca me vullnet të qartë e ka penguar këtë proces. saqellari@korrieri.com

Sali Berisha

“Ai (Kodi Zgjedhor) është një zotim i padiskutueshëm dhe do të realizohet në afatin më të shkurtër. Ne presim Partinë Socialiste, e cila bën një hap para dhe dy hapa pas, sot fton dhe nesër thotë s’kam kohë. Nëse ka diçka për të cilën interesi është absolut i njëjtë, ai është Kodi Zgjedhor. Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur të procedojmë sapo pala tjetër të jetë e gatshme. Ne nuk kemi asnjë vështirësi sa i përket Kodit Zgjedhor. Në takimet që zhvillova, nuk ma ngritën këtë çështje, por nuk kanë nevojë ta ngrenë, pasi ajo është një çështje për t’u zgjidhur”.

Fatmir Xhafaj

“Jo vetëm nuk e ka vonuar PS-ja këtë proces, por ka deklaruar në mënyrë publike, që ka gati propozimet për amendimet e kodit. Kjo do të thotë se jemi të gatshëm të shkojmë në komision për të punuar. Përkundër kësaj, mazhoranca nuk ka bërë asnjë reagim parlamentar. Arsyeja është se s’ka qenë këtu komisari i tyre, pa të cilin askush nuk cicërin në PD dhe të gjithë kanë qenë brenda kafazit se mungonte ai që hap derën. Për të mos thënë që nga disa prej tyre na është thënë që s’ka vullnet kryeministri që ta mbyllë çështjen e Kodit Zgjedhor brenda këtij sesioni”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›