Babai-monstër, plani shokues i ideuar në 78-ën
Policia në Austri thotë se Jozef Fritzl mund ta ketë planifikuar ngritjen e qilarit të tmerreve, në të cilin ai mbylli të bijën e tij Elisabetë, që në 1978-ën, kur ajo ishte 12 vjeç. Zyrtarët e policisë kanë detajuar gjithashtu edhe hapat që ai kishte ndërmarrë për të krijuar "burgun" që kishte shtatë dyer të ndara. Familja e nxjerrë nga ai tmerr ndërkohë po përpiqet të kthehet në normalitet, në spitalin ku po qëndron. Elisabeta është mbyllur në qilar në moshën 18 vjeç dhe ka qëndruar atje për 24 vite. Si pasojë e përdhunimit të të atit, ajo lindi shtatë fëmijë, një prej të cilëve kishte vdekur që foshnje. Ndërkohë, drejtori i burgut ku Jozef Fritzl po mbahet, thotë se ai nuk ka qenë aspak problematik, jeton në një qeli me një tjetër të burgosur por refuzon të dalë që andej. Shefi i departamentit të krimeve në Policinë e Austrisë së Poshtme, Franz Polzer, thotë se Fritzl kishte kërkuar leje ndërtimi në 1978-ën për një zgjerim që do të bëhej qendra e qilarit sekret. Në një konferencë për shtyp, policia tha se aplikimi për leje ndërtimi tregon se Fritzl mund të ketë qenë i fiksuar që para vitit 1984 për të realizuar planin e tij djallëzor. Qilari sekret nuk kishte qenë i njohur për autoritetet e planifikimit të ndërtimeve. Ai kishte të paktën dy pika hyrjeje, por edhe dikush që kishte çelësat, duhej të hapte tetë dyer me mbyllje elektronike për të mbërritur te tre të fundit. Vetëm dera kryesore peshonte gjysmë toni. Policia thotë se Fritzl ka vepruar i vetëm dhe po heton akuzat nga gra që janë paraqitur pas zbulimit të skandalit dhe që pretendojnë se janë përdhunuar nga Jozef Fritzl 30 apo 40 vjet më parë. Vetë prokurorët do të takohen me Fritzl-in, këtë javë ndërsa më herët ky i fundit është vizituar nga një mjek për sëmundje fizike dhe mendore. Avokati i Fritzl-it po përpiqet ta paraqesë klientin si të sëmurë mendor.