Regullorja e re: Kardiologjia në QSUT pa mjeke roje
Sipas një rregulloreje të re, mjekët e shërbimit të Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i shpëtojnë detyrimit për t’u bërë mjekë roje pas përfundimit të orarit zyrtar të punës.
TIRANE- Ndodh edhe kështu. Nëse sëmurësh nga zemra pas orës 16:00 të pasdites, dhe shkon në shërbimin e Kardiologjisë në Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, nuk do të gjesh asnjë mjek kirurg. E shumta mund të jetë vetëm një specializant, të cilin e kanë lënë për të bërë mjekë roje. Kjo, sepse mjekët kirurgë të Kardiologjisë janë çliruar nga detyrimi për të qenë mjekë roje, sipas një grafiku të caktuar. Propozimi është bërë nga vetë mjekët e këtij shërbimi, ndërsa mësohet se kanë marrë “OK-in” edhe të drejtorisë së QSUT-së.
Pa mjekë roje
Kirurgët e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” qëndrojnë në pavijon deri në orën 16:00. Pas kësaj, i gjithë ky shërbim lihet pothuajse bosh. Kjo sepse, në bazë të një rregulloreje të re të këtij pavijoni, mjekëve kirurgë iu hiqet e drejta për të qëndruar, sipas një grafiku të caktuar, mjekë roje edhe pas mbarimit të 8-orëshit të punës. Në fakt, ka qenë kjo një kërkesë e vetë stafit mjekësor të këtij shërbimi, të cilët e kanë quajtur të padrejtë që ata të bëjnë edhe mjekun roje. Ata e kanë depozituar kërkesën pranë Drejtorisë së QSUT-së, që me sa duket e kanë quajtur të drejtë pretendimin e kirurgëve të Kardiologjisë dhe kanë miratuar propozimin e tyre. Kështu që për të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, nëse i kap ndonjë krizë pas orës 16:00, e kanë të kotë të shkojnë në QSUT, pasi aty do të gjejnë vetëm specializantët. Në fakt, edhe mjekët specializantë përfshihen në grafikun e mjekut roje, por zakonisht ata i lënë gjatë ditëve të javës që të mos jenë vetëm. Pasi, duke qenë ende specializantë, ata e kanë të vështirë të ndërmarrin një ndërhyrje kirurgjikale, pa pasur një kirurg të vjetër mbi kokë, nëse ka ndonjë rast urgjence. Por, duket se kjo është një metodë e vjetër që luhet në disa nga shërbimet e QSUT-së. Pasi, edhe në disa shërbime të tjera, në listat e mjekëve të rojës që afishohen në fundjava apo në ditë festash, janë pikërisht ata të specializantëve. Dhe, menjëherë pas kësaj rregulloreje të re që favorizon bluzat e bardha të Kardiologjisë, kanë nisur edhe thashethemet. Kolegët e tyre, por që punojnë në klinikat e tjera të QSUT-së, thonë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje e pastër për të favorizuar klinikat private. “Duke qenë se pavijoni do të rrijë zbuluar dhe nuk do të ketë asnjë mjek që qëndron pas orarit zyrtar, dihet se pacientët do të jenë të detyruar të shkojnë në klinikat private. Kjo është llogari e bërë”, - shprehen ata. Kardiologjia është një ndër pavijonet që ka një fluks të madh kërkesash gjatë gjithë vitit. Madje, ka aq shumë, saqë në shumë raste, në urgjencën e këtij shërbimi nuk ka as shtretër për të gjithë pacientët. Këtu vijnë të marrin shërbimin edhe shqiptarët nga Kosova e Maqedonia.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)