“Harta dixhitale dhe sistemi i adresave, procese që përfundojnë brenda vitit 2009”

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, shpjegon fazat që do të kalojë ky projekt i rëndësishëm
TIRANE - Të gjithë jemi dëshmitarë për deformimin demografik që ka pësuar vendi, si pasojë e ndryshimeve infrastrukturore apo bumit të madh të ndërtimeve. ALUIZNI, ose ndryshe Agjensia e Legalizimit të Ndërtimeve të Paligjshme, nëpërmjet fotografimit ajror ka mundur të ofrojë një bashkëpunim të vlefshëm të punës që Ministria e Brendshme ka ndërmarrë në sistemin e adresave. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, jep informacion të dobishëm lidhur me fazat që do të kalojë ky projekt i rëndësishëm, po aq sa pajisja e shqiptarëve me pasaportat e reja biometrike apo kartat e identitetit.
Kaosit të mungesës së informacionit mbi adresat, i shtohet dhe fakti se shumë rrugë nuk kanë madje as dhe emërtim.
Harta dixhitale është një zbardhje e plotë e gjithë informacionit që mbërrin nga njësitë e qeverisjes vendore. Deri tani vetëm disa bashki si Berati, Elbasani dhe Fieri kanë mundur të ecin me ritme shumë të mira në dhënien e informacionit. Prefekturat janë në krye të këtij procesi, ato shumë shpejt do të fillojnë fazën e dytë për realizimin e projektit mbi sistemin e adresave. Natyrisht nuk përfundon këtu për Ministrinë e Brendshme. Projekti do të vijojë me vendosjen e tabelave në çdo rrugë dhe objekt, një proces ky që sipas ekspertëve do të zgjasë përtej janarit të vitit 2009. Dhe jo vetëm nga pikëpamja e orientimit por edhe e identifikimit shqiptarët mbeten në mes të një procesi shumë të rëndësishëm që është ai i sistemit të adresave.