E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, alarm tek "Zogu i Zi", Banorët: Na janë carë muret

Nga Ermelinda Hoxhaj
Për t'i bërë banesat më të pëlqyeshme dhe për t'i shitur u kanë hyrë mureve me themel, kanë zhdukur ndarjet e anekseve tradicionalë, duke dëmtuar kështu strukturat mbajtëse të pallatit. 

TIRANE- Banorët e pallateve tek Zogu i Zi, u rrezikohet shtëpia. Kjo pasi, një pjesë e banorëve të vjetër janë larguar dhe tashmë për t'i bërë ata më të pëlqyeshme për t'i shitur u kanë hyrë mureve me themel, kanë zhdukur ndarjet e anekseve tradicionalë, për t'i bërë shtëpi "moderne", por në këtë mënyrë kanë dëmtuar strukturat mbajtëse të pallatit. Banorët e këtyre pallateve thonë se ndihen të rrezikuar, pasi muret e apartamenteve të tyre kanë pësuar çarje serioze.
Rreziku nga ndërhyrjet
Bëhet fjalë për pallatet me tulla të kuqe që ndodhen në krah të shkollës së mesme "Qemal Stafa", buzë rrethrrotullimit të Zogut të Zi. Duke qenë një ndër zonat më të kërkuara të Tiranës, pallatet ekzistuese janë kthyer në një "pre" të mirë për sekserët, por në një rerzik serioz për ata që banojnë në këto apartamente. Disa familje që banonin prej vitesh në këto ndërtesa, janë ankuar në redaksinë e "Gazetës Shqiptare" se modifikimet që janë bërë në apartamentet që janë venë në shitje kanë dëmtuar rëndë strukturat mbajtëse. "Është për të vënë duart kokës. Na janë çaret muret gjithandej, ndërsa në shtëpinë time gjithë këto ditë me shi çfarë ka rënë jashtë më është futur brenda. Kjo pasi, të zotët e këtyre apartamenteve ua kanë lënë në dorë sekserëve për t'i shitur dhe ata i kanë prishur të gjitha muret ndarëse të brendshme. I kanë bërë si këto shtëpitë moderne, pa anekse, por me ambiente të mëdha. Por kjo ka ndodhur në një pjesë të madhe të apartamenteve, dhe jo në një apo në dy, duke bërë që të rrezikohet seriozisht e gjithë ndërtesa, pasi janë prishur ekuilibrat mbajtës. Puna është se nuk kanë marrë një inxhinier që të bëjnë ndërhyrje të studiuara, por marrin ca njerëz te "Ushtari i Panjohur" që i shembin muret pa asnjë lloj sigurie. Ne nuk dimë se ku të ankohemi për këtë hall që na ka zënë. Kemi debatuar me qindra herë, kur kanë bërë punime të tilla, por ata na përgjigjen se e dimë vetë se çfarë bëjmë me shtëpinë tonë", - shprehen ata. Ndërkohë që banorët tregojnë se kanë depozituar një ankesë edhe në njësinë bashkiake, por ende nuk kanë marrë një përgjigje konkre-te për këtë gjë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›