Rehabilitimi i çerdheve me standarde bashkëkohore
Vogëlushët e njësisë bashkiake Nr. 5, në rrugën "Irfan Tomini", do të kenë në dispozicion të tyre një çerdhe tërësisht të rehabilituar, me standarde bashkëkohore. Me një fond prej 17 954 379 lekësh, nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës ka përfunduar rikonstruksioni dhe shtimi i ambienteve ekzistuese të çerdhes Nr. 57, e cila tashmë do të ofrojë një shërbim cilësor, për mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e 80 fëmijëve të kësaj zone. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit tha: "Dua të them se ne jemi vullnetplotë për të krijuar në kryeqytet, jo vetëm një rrjet modern dhe evropian shkollash, por edhe një rrjet modern, evropian çerdhesh e kopshtesh dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që jo vetëm të rindërtojmë, por edhe të ndërtojmë çerdhe e kopshte të reja, duke u munduar që të kemi në dispozicion ato hapësira të domosdoshme për t‘i hapur rrugë një procesi të tillë transformues edhe për çerdhet dhe kopshtet", tha kryetari i bashkisë, Edi Rama. Në vijim të përmirësimit dhe standardizimit të shërbimit edukativ dhe psikosocial, janë krijuar dhomat e veçanta për mjekun, punonjësin social, salla për trajnimin e prindërve dhe salla për argëtimin e fëmijëve. Njëkohësisht, çerdhja e rikonstruktuar është pajisur me mjete didaktike për realizimin e një procesi modern edukativ.