E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, mësim në kinema

Pas ndërprerjes dyjavore të mësimit në Fakultetin e Juridikut dhe atë të Shkencave Sociale, është vendosur rinisja e normalitetit. Studentët e Juridikut dhe Shkencave Sociale ditën e martë nisin mësimin. Por këtë herë ata nuk do të kenë auditorët e tyre të vjetër, por të tjerë. Ambientet e kinoklub studentit, ato të Fakultetit të Gjeologji-Minierave, si dhe shkolla e mesme "Petro Nini Luarasi", do të jenë strehët "borxh" të studentëve që kanë mbetur pa mësim. Lajmin e ka konfirmuar dje rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Rektori Kule ka referuar mbi problemet e infrastrukturës në fakultetet e Tiranës dhe rrugët se si po zgjidhen këto shqetësime për studentët dhe stafin akademik. Pas ndërprerjes dyjavore të leksioneve, ditën e martë studentët do të paraqiten në auditorët e rinj, për të rikuperuar orët e mangëta. Studentët do të qëndrojnë në ambientet e sistemuara deri në ndërtimin e kampusit universitar. Deri në përfundim të kontrollit teknik të ndërtesës së përbashkët të Juridikut dhe Shkencave Sociale, nuk mund të jepen rezultate të sakta. Pas përfundimit të këtij kontrolli, specialistët do të mund të thonë nëse godina duhet meremetuar, duhet ndërtuar nga fillimi, apo ka nevojë vetëm për një rikonstruksion të thjeshtë.

Ambientet e reja

Fakulteti i Gjeologji-Minierave, kinoklub studenti, si dhe gjimnazi "Petro Nini Luarasi" do të jenë mikpritësit e studentëve të Shkencave Sociale dhe Juridikut. Mësimi do të zhvillohet sipas një grafiku pa u "prishur" punë "autoktonëve". Por për një ndarje ekzakte të shpërndarjes së studentëve ende nuk është konfirmuar.

Sakaq, formula e re, që do të sjellë konkurrimin e vetë universitetit do të jetë ndërtimi i kampusit universitar.

Pas rikonstruksionit të ambienteve të dëmtuara të dy fakulteteve, është menduar që kjo ndërtesë të jetë nën administrimin e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, po përfundon rikonstruksioni i Fakultetit të Infermierisë dhe godina e vjetër do t‘i jepet Fakultetit të Mjekësisë.

Për sa i takon gjyqit me ish-pronarët e tokës, te Muzeu i Shkencave të Natyrës, dje Kule ka sqaruar se është siguruar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe çështja gjyqësore deri tani mbetet në favor të arsimit. Një tjetër detaj i rëndësishëm i bërë publik dje janë edhe bisedimet me Ministrinë e Ekonomisë për objektin e kinoklub studentit. Aktualisht kjo është pronë e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa arsimi kërkon të jetë në shërbim të studentëve në formën e auditorit për të zhvilluar mësimin. Sakaq, studentë, pedagogë dhe lëvizja "Mjaft!" kanë protestuar dje para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar prej tyre zgjidhje alternative dhe jo bojkotim të mësimit.

Kampusi i ri

Fusha e sportit e Qytetit Studenti do të jetë vendi ku do të ndërtohet kampusi universitar, i cili do të bashkojë të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës. Ndërtimi i kampusit ka marrë miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërkohë që edhe Ministria e Financave, nga ana saj, po punon për kalimin e fushës së sportit të Qytetit Studenti si pronë e Universitetit të Tiranës. Sipas projektidesë, në kampusin që do të ndërtohet do të sistemohen gjashtë fakultetet e tij, përveç Fakultetit të Infermierisë dhe Mjekësisë, vendndodhjet e të cilave janë pranë spitalit "Nënë Tereza". L.Mixha

Ministria e Arsimit

Kemi ofruar disa mundësi për

të mos penguar procesin mësimor

Përtej angazhimit të Universitetit të Tiranës, Ministria e Arsimit ka reaguar dje, duke theksuar se po vlerëson me seriozitet çdo rrezik për studentët dhe pedagogët. Bëhet fjalë për Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Juridikut.

"Kemi mbështetur ndërprerjen e mësimit në to, ofrimin e sallave të tjera për kapërcimin e momentit të emergjencës dhe vlerësimin profesional të gjendjes reale të ndërtimit në fakultetet e mësipërme", ka sqaruar dje arsimi. Sipas njoftimit të ministrisë, është kërkuar nga Ministria e Punëve Publike të drejtojë një ekip ekspertësh, i cili në bazë të studimit të dokumentacionit të ndërtimit dhe të vlerësimit në vend, të nxjerrë një raport ekspertize për të përcaktuar veprimet e mëtejshme që garantojnë veprimtarinë normale në ato ambiente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›