Të kërkojmë ndjesë!
Në gazetat e fundvitit lexova shumë autorë me opinione të cilat me çasje dhe stil të ndryshëm ishin të përafërta me vlerësimet që edhe unë vetë i kisha shkruar në gazetën tuaj. Përfundim i përbashkët ishte se, me shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, me shtet të pavarur dhe anëtarësim në NATO, ne në Maqedoni jemi vetëm pjesë integrale e një suksesi mbarëshqiptar. Pra, si do dhe kah do që ta marrish, zhvillimet politike në Maqedoni e të shqiptarëve në veçanti shënuan një vit kalendarik të pasuksesshëm. Për një çast, derisa po shkruaja, mendova mos vallë jam subjektiv, apo më ka kapluar defetizëm, por të tjerët me shkrime dhe deklarime në masë të madhe e konfirmuan mendimin tim. Kuptohet, kishte edhe ndonjë përjashtim me anim dhe vardisje ndaj pushtetit. Me ndërrimin e motmoteve, siç është e zakonshme, shprehen optimizmi dhe dëshira për një vit më fatlum dhe më të suksesshëm. Kjo nënkupton se Viti i Ri 2009, tani më i sapofilluar, për secilin veç e veç, dhe për të gjithë së bashku, duhet të përcaktojë një qasje krejtësisht të re ndaj politikës. Politikës dhe veprimeve që shkaktuan mosmarrëveshje, përçarje, dhunë, bastisje, vrasje dhe tragjedi familjare duhet vendosmërisht t'i themi ndal. Për ta marrë veten kah e mbara, të shërbehemi me thënien e lokeve tona plaka: na i marrtë të ligat ky vit i shkuar mbrapsht! Prandaj, nëse duam që vitin posa të filluar ta shënojmë me suksese të ditëpërditshme, duhet të kategorizohen detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë konform hierarkive partiake dhe institucionale. Mendoj se nuk duhet të jemi shumë të mençur për të kuptuar se përgjegjësitë dhe privilegjet që jepen me mandate dhe emërime ngërthejnë njëra-tjetrën. Ata të kategorisë së parë, udhëheqësit e shtetit, liderët e partive politike shqiptare e maqedonase, është koha e fundit, bash e fundit, të demonstrojnë veprime me nivel të duhur për të sjellë të mira aq të pritura nga qytetarët. Sa do që të duket stereotipa thirrja për unitet, tolerancë dhe mirëkuptim midis liderëve të partive politike shqiptare, ende nuk është gjetur ndonjë formë tjetër për të zgjuar ndërgjegjen dhe vullnetin që kjo mirësi përfundimisht edhe të ndodhë. Atëherë, mbetet që të sforcohet kritika publike, duke krijuar opinion që i detyron liderët të tejkalojnë veten, të ngrenë nivelin e përgjegjësisë në dhënien e llogarisë para atyre që i përfaqësojnë. Kjo në rend të parë do të jetë më mirë për vet ata, sepse do të jenë më të dashur, më të respektuar dhe më të frytshëm në bërjen e politikës. Kur jemi këtu, më lejoni vetëm pak të me besohet, se me sinqeritetin më të madh sugjeroj që liderët e partive politike shqiptare, duke pasur parasysh në çfarë viti kritik kemi hyrë, të ulen bashkë, për fillim do të mjaftonte edhe një takim kurtuazi, e në vazhdimësi të kenë edhe takime të rregullta konsultative për çështje prioritare për shqiptarët e Maqedonisë. Kështu do të fillonte një kulturë e re e konkurrencës politike e cila do të relaksonte ambientin politik ndërshqiptar dhe do të forconte pozicionin institucional e shtetëror të shqiptarëve. Atëherë do të shtohej presioni ndaj kreut të shtetit dhe Qeverisë që të merr kahe serioze zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë dhe do të kapej ndonjë shans e fundit për anëtarësim në NATO, marrje të datës për negociata me BE-në si dhe liberalizim të regjimit të vizave. Ne duhet patjetër të faktorizojmë veten si shqiptarë për të mos lejuar ndonjë diskurs eventual alternativ për NATO dhe BE të politikës aktuale maqedonase. Po e përsëris, meqë po fillojmë një vit të ri, për gabimet që janë bërë, dikush më pak e dikush më shumë, varësisht nga madhësia dhe pozicioni, është e udhës të kërkojmë ndjesë ndaj atyre që kemi gabuar. Populli është modest dhe tradicional, ai din edhe të falë, por jo edhe shumë herë, se, dorën në zemër, është i mërzitur e lodhur nga premtimet. Me rrezik edhe të keqinterpretohem, për të qenë deri në fund i ndërgjegjshëm dhe pa i dhënë asnjë meritë vetvetes, kërkoj ndjesë nga gjithë ata ndaj të cilëve përkatësia partiake, shumëherë edhe pa pëlqimin tim, më ka sjellur në situatë ose më ka radhitur me ata që nuk i kanë zgjedhur sa duhet fjalët dhe tonin e kritikes. Ashtu e ka marrja me politikë në vende ku nuk ka traditë demokratike, ku ambienti politik është në vazhdimësi neveritës. Çdo pozicionim partiak ose për opsion të caktuar shkakton vetvetiu distancë në komunikim edhe me ata të cilët i ke pasur më të dashur dhe më të respektuar për një kohë të gjatë. Prandaj edhe në politikë është e nevojshme të moralizojmë. Mos ta sjellim punën si në sistemin diktatorial të Shqipërisë siç shkruan Kadare, të vizitohen të afërmit apo shokët "disident" vetëm me ombrellë kur bie shi, të mos na shohin të tjerët. Vallë do të lejojmë të jetojmë edhe sot nën ombrella të diktaturave partiake? Si do të vlejë thënia "i lire je aq sa ndjehesh i lirë" në këtë rast? E, si t'ju them, paçi ndjesë për të bëmat e të thënat! Jeta është pak më shumë se një parti politike! Tung për ata që mendojnë ndryshe!
Autori është ish-deputet i Parlamentit të Maqedonisë dhe shkrimi është botuar në të përditshmen e Shkupit “Koha”